Partia Socialiste do të mbledhë këtë të premte kryesinë e partisë.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 17:00, ndërsa fokus kryesor i diskutimeve do të jetë zgjedhja e presidentit të ri.
Mbrëmja e së shtunës 4 qershor 2022 pritet ta gjej Shqipërinë me një president të ri të zgjedhur vetëm me votat e PS.
Shumicës socialiste do t’i duhet që deri në orën 12:00 të po të njëjtës ditë të depozitojë kandidatin apo kandidaten bashkë me 20 firma propozuese.
Më pas do të jetë Komisioni i Ligjeve që do t’i dërgojë kuvendit raportin përkatës për t’i hapur rrugë votimit në seancën e posaçme parlamentare, nga ku zgjidhet presidenti me vetëm 71 vota pas ezaurimit pa kandidat të tre raundeve të para.
Fatmir Mediu për pamundësinë e zgjedhjes të një presidenti konsensual me 84 vota nuk hezitoi të tregojë fajtorin.
Në një kohë kur Enkelejd Alibeaj dhe dy grupet e tjera parlamentare të opozitës dështuan të sillnin një kandidat për tre raundet e para, ai u shfaq aspak i interesuar për këtë raund të katërt.
Vlen për t’u parë nëse Alibeaj dhe deputetët e tij mbështetës do të jenë në sallë më 4 qershor apo do të bojkotojnë siç bënë të hënën në raundin e tretë.
Burime nga PS i thanë Top Channel se deri më tani preferohet që kandidati të vijë nga fusha e drejtësisë pa specifikuar emra konkretë.
Top Channel