Myslim Murrizi ka kërkuar fjalën në Këshillin Kombëtar të PD-së, të drejtuar nga Sali Berisha, ku ka folur me tone të ashpra për mënyrën si po zgjidhet kryesia e partisë.
“Çfarë është kjo grykësi që çoni mesazhe në wp, ma ki kujdes filanin. Sa kemi futur këmbët në ujë, nuk e kemi kaluar lumin. Sot fiks 7 muaj jemi në fushate, sa nga ne të votuarit përmes ëp sjellim njerëz për të dalë në protestë”, tha Murrizi.
Sipas tij, Partia Demokratike prej shtatë muajsh është në fushatë, ndërkohë që thotë se vota që fitohet nëpërmjet mesazheve në Whatssap, nuk ka vlerë për demokratët.
Ai vë në dukje se personat që kandiduan për kryesinë e partisë janë të njëjtët që kandidojnë për Sekretariatet e PD-së
“Çfarë është kjo kryesi, këta që kandiduan për kryesi, i shohim prapë si kandidat për sekretariate. Miq që takoj çdo ditë, me thonë vetëm me Lulin dhe Gazin (Lulzim Basha dhe Gazment Bardhin) e kemi pasur betejën?”
Sipas Murrizit, anëtarët e zgjedhur të kryesisë, nuk kanë punuar në terren dhe as nuk kanë respektin e demokratëve. Partia Demokratike nuk është parti për të bërë sevap, thotë ai.
“Kjo kryesi sa njerëz ka sjell ne protesta? Çfarë është kjo grykësi, që çojnë sms në wp, ma ki merak filanin, për çfarë ta kem merak? I uroj suksese asaj kryesie, por meqë e dinë veten si të mëdhenj nga nesër të dalin në terren, njerëz që nuk i jep njeri dorën çfarë përfaqësojnë këta? Nëse kemi gare me Gazin dhe Gjekmarkajn, harxhojmë naftën kot! Ne themi të mundim Ramën”.
Përgjigja që Murrizi mori nga kryetari i Këshillit, Edi Paloka, ishte se “sot nuk kemi kohë për diskutime, për shkak se do të votohet për sekretaritë”.
“Ti je i vjetër sa ne në parti, por e di që ka procedura dhe rregulla. Koha sot është e kufizuar, votimi do të zgjasë dhe po ashtu numërimi. Ndaj kemi menduar të kalojmë menjëherë në procedurë, do të kemi mundësi të flasim dhe të japim mendimet tona sa herë kemi nevojë”.
Top Channel