Për disa afganë të cilët u evakuuan pasi vendi i tyre ra në duart e talebanëve verën e kaluar, udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara ka ngecur dhe duket se ka përfunduar në një grup tendash të djegura nga dielli dhe banesa të përkohshme në një bazë amerikane në Kosovë.

Ndërsa më shumë se 78,000 afganë kanë arritur në SHBA që nga gushti i vitit të kaluar, e ardhmja për ata që janë në procesin e verifikimit shtesë të sigurisë dhe janë dërguar në kampin Bondsteel në Kosovë, mbetet pezull.

Zhgënjimi i tyre po rritet, thotë agjencia e lajmeve “Associated Press”, e cila  siguroi fotografi ku shihen disa afganë duke mbajtur pankarta me mesazhe të tilla si “ne duam drejtësi”.

Autoritetet amerikane dhe qeveria e Kosovës, kanë hezituar të thonë më  shumë për njerëzit e dërguar në Bondsteel.

Baza strehon të rritur dhe fëmijë. Muhammad Arif Sarwari, një ish-zyrtar i lartë i zbulimit në qeverinë afgane, tha se atje janë rreth 45 persona, që përfaqësojnë rreth 20 raste individuale të vizave. Një grup prej 27 refugjatësh fluturoi të mërkurën drejt Shteteve të Bashkuara.

Administrata e presidentit Joe Biden nuk do të japë hollësi, por pranon se disa nga të evakuuarit nuk ia dolën të kalojnë përmes atij që e quan “një proces shqyrtimi dhe verifikimi të rreptë dhe me shumë shtresa” dhe nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA.

Gjithsej rreth 600 afganë kanë kaluar nëpër Bondsteel, sipas qeverisë së Kosovës, e cila fillimisht autorizoi qëndrimin e të evakuuarve për një vit, por së fundmi ra dakord ta zgjasë atë deri në gusht të vitit 2023.

Top Channel