“Çdo hap drejt vendosjes së sanksioneve do ta dëmtojë vetëm Serbinë,jo Rusinë”, deklaron Andrej Mitiq, sekretar ndërkombëtar i partisë së ekstremit të djathtë, Dveri, teksa shijon një gotë limonadë në hollin mbretëror të Hotel Moskva të Beogradit.

“Për këtë arsye ne i shohim këto politika aktuale anti-ruse si politika anti-serbe… Ne shohim rreziqe të mëdha për interesat dhe vlerat e popullit [serb]”, thotë ai.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, përballet me presionin ndërkombëtar për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë mbi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, politikanët nga e djathta ekstreme e Serbisë — politikanë si Mitiq – janë ata që janë më të zëshmit duke i bërë thirrje qeverisë që t’i injorojë kërkesat e BE-së dhe ta mbështesë Rusinë.

Deri më tani, Vuçiç, i cili u betua për një mandat të dytë presidencial më 31 maj, ka ndjekur linjën dhe ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së, të cilat kanë shënjestruar sektorin energjetik dhe atë financiar të Rusisë, si dhe individë të profilit të lartë. Interesat kombëtare të Serbisë, ka argumentuar presidenti serb, varen nga ruajtja e marrëdhënieve miqësore me të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë, jo vetëm me Brukselin.

Brenda BE-së, Vuçiq është përballur me kritika nga politikanë dhe diplomatë. Carl Bildt, i cili shërbeu si i dërguar i Posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi në vitet 1990, tha më 28 shkurt se pozicioni i Serbisë ndaj pushtimit rus duhet ta diskualifikojë atë nga procesi i pranimit në BE.

Dhe më 21 mars, ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis, bëri thirrje që vendet që bëjnë tregti me Rusinë të përballen me ndëshkime.

Edhe pse Vuçiq fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe komunale të 3 prillit, dy parti ultranacionaliste hynë në Parlamentin e Serbisë, një zhvendosje për të cilën Vuçiç fajësoi pasojat e pushtimit rus të Ukrainës.

Një parti relativisht e re në skenën politike të Serbisë, Dveri, shërbeu për një mandat të vetëm parlamentar midis 2016-2020 dhe u rikthye në asamblenë kombëtare në prill, së bashku me një parti tjetër ultranacionaliste, Zavetnici (Të përbetuar), të cilët po hynin për herë të parë në Parlament.

“Dveri mbështet pozicionin aktual politik të Rusisë dhe beson se Rusia është detyruar të përgjigjet pasi u rrethua nga NATO”, thotë Mitiq, me zërin e tij të butë dhe me mirësjellje, në kundërshtim me retorikën e tij populiste dhe pikëpamjet euroskpetike.

Për Serbinë nuk është një vendim i lehtë gjeopolitik. BE-ja është bamirësi kryesor ekonomik dhe partneri tregtar për vendin, por Beogradi është plotësisht i varur nga importet e energjisë ruse dhe nga mbështetja gjeopolitike e Moskës për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë gjithë periudhës dhjetëvjeçare të Vuçiçit në qeveri, ku ai shërbeu si kryeministër dhe president i vendit, Serbia ka mbetur neutrale, duke zhvendosur në mënyrë oportuniste besnikërinë e saj gjeopolitike nga BE-ja, Rusia dhe Kina sa herë që e shihte të arsyeshme.

Mitiq shërben si baza intelektuale e Dverit dhe, sipas vetë fjalëve të tij, ka për detyrë të përkthejë teorinë politike në politika konkrete për partinë. Prejardhja e tij lidhet me filozofinë politike dhe ai thotë se u largua nga akademia për t’iu bashkuar partisë si këshilltar në vitin 2018.

Ai është gjithashtu zëdhënës i Dverit për mediat ndërkombëtare dhe sjellja e tij medituese është në kundërshtim të plotë me imazhin e brendshëm të partisë, e cila ndërlidhet së tepërmi me liderin e saj radikal dhe të zhurmshëm, Bosko Obradoviq.

I pyetur për të argumentuar mbështetjen e tij për Rusinë, Mitiq flet për varësinë e Serbisë ndaj energjisë ruse dhe mbështetjen e Moskës mbi çështjen e Kosovës, si dhe lidhjet e qëndrueshme historike dhe kulturore ndërmjet dy kombeve “vëllazërore”.

Për sa i përket një zgjidhjeje mbi çështjen e vështirë të sanksioneve, ai thotë se qëndrimi zyrtar i Dverit është se çdo vendim i tillë duhet t’i paraqitet popullit serb në referendum.

Partia Zavetnici, e cila fitoi gjithashtu 10 vende në Parlamentin serb dhe më pak se 4 për qind të votave në zgjedhjet e prillit, mbështet gjithashtu idenë e një referendumi për sanksionet. Në një konferencë për shtyp të 12 majit, ku ishin të pranishëm vetëm dy gazetarë, liderja e partisë, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, shpalosi qëndrimin e saj për Rusinë, i cili është identik me atë të Dverit: jo sanksioneve ndaj Rusisë dhe çdo vendim i tillë duhet të vendoset me referendum.

Gjurgjeviç-Stamenkovski u bë e njohur për publikun në vitin 2008 kur ajo luajti një rol kryesor në protestat e dhunshme që shpërthyen pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Që atëherë, ajo ka qenë shtylla kryesore e politikës së rrugës së krahut të djathtë në vend. Ajo gjithashtu mori pjesë në demonstratat që shprehnin mbështetjen për presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe aneksimin e Krimesë nga Putini.

Kur Radio Evropa e Lirë e pyeti Gjurgjeviq-Stamenkovskin se pse duhet të ketë një referendum për çështjen e sanksioneve kur populli serb sapo i dha një mandat të qartë Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ajo thotë se “marrëdhëniet serbo-ruse janë një konstantë shekullore, në shoqërinë serbe”.

“Çështja e sanksioneve ndaj Federatës Ruse është shumë më specifike, më e dhimbshme dhe do të kishte pasoja më drastike për vendin tonë sesa për ndonjë shtet tjetër”, thotë Gjurgjeviq-Stamenkovski.

Kjo është arsyeja pse, sipas saj, çdo vendim që mund t’i rrezikojë këto lidhje, duhet të vendoset vetëm me një votim mbarëkombëtar.

Nga ana ideologjike, shumë pak i ndan partitë Dveri dhe Zavetnici. Të dyja partitë janë ultranacionaliste, e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin marrëdhëniet më të ngushta me Rusinë.

Dallimi kryesor midis tyre është se Dveri mbështet një kthim në sundimin monarkik, promovon pikëpamje konservatore fetare dhe ka një reputacion më pak huligane sesa Zavetnici, protestat e së cilës shpesh kanë çuar në dhunë dhe trazira në të kaluarën. Si për shembull, në tetor 2020 kur partia protestoi kundër artistëve shqiptarë nga Kosova që ekspozonin punët e tyre në Beograd.

Pavarësisht dallimeve minimale, të dy partitë janë aleate të natyrshme dhe Mitic konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Dveri ka zhvilluar bisedime me Zavetnicin dhe miqtë e tjerë pro-rusë, Partinë Socialiste të Serbisë, se si ata mund të përdorin platformën e tyre të kombinuar parlamentare për të mbajtur nën presion Vuçiqin për ta parandaluar presidentin serb të bëjë lëshime mbi sanksionet.

Blloku pro-rus, i cili përfshin gjithashtu Partinë Demokratike të Serbisë të qendrës së djathtë, mban 66 nga 250 ulëset në Parlamentin e ri të Serbisë — ende më pak se gjysma e numrit të vendeve që i përkasin SNS-së në pushtet.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Vuçiç nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Sipas analistit politik nga Beogradi, Dragomir Angjelkoviq, rreziku real i vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia vjen nga revolta e mundshme brenda partisë së Vuçiqit.

“Unë besoj se çdo veprim i këtij lloji nga Vuçiq do të provokonte një reagim të madh brenda SNS-së”, thotë Angjelkoviq. “Votuesit e tyre janë kundër sanksionimit të Rusisë dhe shumica e anëtarëve të partisë ndajnë të njëjtat pikëpamje me shumicën e zyrtarëve të partisë. Sigurisht, në krye të partisë, zyrtarët do të heshtnin dhe do të ndiqnin linjën e kryesisë, por [sanksionet] do të çonin në protesta serioze në nivelet më të ulëta dhe mes bazës së partisë”.

Si iu përgjigj Ballkani Perëndimor pushtimit rus në Ukrainë?
Jo vetëm brenda SNS-së, Vuçiç i ruhet edhe faktit se si do të reagonte publiku serb nëse Qeveria do t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë. Mitiq thotë se vendosja e sanksioneve do të shkaktonte një reagim publik aq të fortë sa do të “përmbyste Qeverinë”. I pyetur mbi këtë mundësi, Angjelkoviq thotë se ai është “i sigurt” se një vendim për të vendosur sanksione do të “shkaktonte trazira masive që do t’i nxirrnin njerëzit në rrugë.”

Në fillim të marsit, pak kohë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Patrulla e Popullit, lëvizja më e njohur ultranacionaliste e rrugës në Serbi, mbajti një protestë pro-ruse në qendër të Beogradit.

Që nga ajo kohë, grupi ekstremist ka vijuar me demonstrata, megjithëse me një intensitet dhe pjesëmarrje më të vogël. Udhëheqësi 33-vjeçar i grupit, Damnjan Knezheviq, është i bindur se pakënaqësia masive ka potencialin për të triumfuar mbi dominimin politik të Vuçiç në Serbi.

“Njerëzit për fat të keq nuk mund të bëjnë shumë, por ajo që ata mund të bëjnë është të japin legjitimitet ose të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimeve të caktuara politike duke dalë në rrugë”, thotë Knezheviq.

“Ne e pamë atë në korrik të 2020-s, gjatë pandemisë COVID-19 ku shumica e popullit serb nuk donte të kthehej në izolim… Ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk patëm një mbyllje të dytë. Për sa i përket situatës rreth Rusisë, jam absolutisht i sigurt se do të jemi edhe më agresivë”.

Serbia shpesh perceptohet si një komb instinktivisht pro-rus, megjithatë realiteti është më kompleks.

Në mars, Demostat, një agjenci e respektuar e sondazheve me bazë në Beograd, publikoi një studim që zbuloi se vetëm 21 për qind e publikut besonte se Serbia duhet të ishte në anën e Rusisë. Megjithatë, në prill, një sondazh zbuloi se 76 për qind e qytetarëve serbë kundërshtojnë sanksionimin e Rusisë. Pra, njerëzit nuk donin të qëndronin në anën e Rusisë, por gjithashtu nuk donin ta sanksiononin atë.

Studimi i Demostat zbuloi, gjithashtu, se 50 për qind e të anketuarve besojnë se Serbia duhet të mbetet e paangazhuar, pavarësisht kostove.

Për më tepër, shumë serbë janë të motivuar nga antipatia e tyre për Perëndimin. Angjelkoviq thotë se shumica e mungesës së popullaritetit të Perëndimit vjen për shkak të pakënaqësisë mbi sanksionet dhe ndërhyrjet ushtarake kundër Serbisë gjatë viteve 1990, dhe jo nga përhapja e rusofilisë.

“Njerëzit janë të vetëdijshëm se Perëndimi na ka bërë keq në të kaluarën”, thotë Angjelkoviq.

“Pra, për ta, në fund të fundit duket irracionale dhe vetëshkatërruese të kthehen kundër dikujt që na ka mbështetur vazhdimisht vetëm për shkak të kërkesave të atyre që na kanë dëmtuar në të kaluarën dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

Dilema e Vuçiqit ndërlikohet nga fakti se BE-ja është thelbësore për ekonominë serbe. Mbi 63 për qind e tregtisë së Serbisë është me BE-në, ndërsa mbi 77 për qind e investimeve të huaja dhe një shumicë dërrmuese e fondeve për zhvillim vjen nga blloku, ndihmë për të cilën disa politikanë serbë kanë frikë se mund të ndalojë nëse vazhdojnë të kundërshtojnë sanksionet.

“Çdo lloj ndërprerjeje e lidhjeve [me BE-në] ose humbja e statusit [të kandidatit] do të ishte e dëmshme për Serbinë në dimensione të shumëfishta, jo vetëm përmes mbështetjes ekonomike që Serbia merr nga BE”, thotë Igor Novakoviq, drejtor kërkimesh në Qendrën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Sigurisë në Beograd.
Serbisë iu dha statusi i vendit kandidat për në BE në vitin 2012.

“Investitorët llogarisin se Serbia një ditë do të bëhet anëtare e BE-së dhe në të ardhmen do të krijojë lidhje jashtëzakonisht të forta me Bashkimin Evropian. Kështu që ky mund të jetë një paralajmërim i fortë për disa investitorë që të tërhiqen [nga Serbia]”.

Megjithatë, pavarësisht këtyre shqetësimeve, opozita e ekstremit të djathtë të Serbisë nuk i pranon rreziqet. Udhëheqësi i Mbajtësve të Betimit, Gjurgjeviq-Stamenkovski thotë se “investitorët e huaj do të largoheshin nga Serbia shumë më shpejt nëse Serbia do të vendoste sanksione ndaj Rusisë” për shkak të “rritjes së çmimeve të energjisë që do të vinte si pasojë e drejtpërdrejtë”, ndërsa Mitiq i Dverit thotë se qytetarët serbë nuk do ndienin asnjë pasojë.

“Në lidhje me këto investime [të huaja] dhe çdo gjë tjetër, populli serb sheh shumë pak përfitime prej tyre”, thotë Mitiq. “Ka disa përfitime, por kryesisht shkojnë ose për sektorin e OJQ-ve ose për reformat e pafundme që janë një qëllim më vete… Populli serb ka marrë shumë pak përfitime gjatë 22 vjetëve të fundit”.

“Nëse i shikojmë gjërat në plan afatgjatë, është e mundur që do të ketë pasoja edhe më të rënda nëse nuk vendosim sanksione”, thotë Angjelkoviq. “Por, është e vështirë për qeverinë ta matë këtë dhe të anashkalojë problemet e saj aktuale për shkak të diçkaje që mund të ndodhë në të ardhmen”.

Pra, në cilën anë mendon ai se Vuçiç do të zgjedhë përfundimisht?

“Unë mendoj se, si një politikan pragmatik, Vuçiç do të veprojë në përputhje, si me interesat e tij partiake, ashtu dhe me interesat e tjera dhe do të vonojë [një vendim] sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund t’i blejë vetes më shumë kohë derisa të shohë se si do të shkojnë gjërat në Ukrainë”, vlerëson Angjelkoviq.

“Në muajt e ardhshëm, jam i sigurt se Serbia nuk do të vendosë sanksione, por do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë më tej”./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA