Kreu i Interpol: Armët e dërguara në Ukrainë do të përfundojnë në duar kriminale (fotot)

02/06/2022 18:37

Jürgen Stock ka nxitur vendet anëtare të gjurmojnë dërgesat e armëve të tyre që po vërshojnë në Ukrainë, duke thënë se ato do të jenë pjesë e ekonomisë të fshehtë kur lufta të përfundojë.

Kreu i Interpol tha se armatimet e dërguara atje që prej nisjes së sulmit rus në shkurt do të përfundojnë në ekonominë e errët globale si dhe në duart e kriminelëve.

Stock tha se kur konflikti të përfundojë, këto mjete do të mbushin tregun global të armëve të rënda dhe nxiti vendet anëtare të Interpol, sidomos ato që po dërgojnë armatimet, të punojnë e të bashkëpunojnë në gjurmimin e tyre.

“Kur të heshtin armët në Ukrainë, do të nisin të dëgjohen armët ilegale. Ne e dimë këtë nga shumë teatro të tjera konfliktesh. Kriminelët edhe tani kanë nisur të flasin për to, si një objekt i mundshëm përfitimesh”, argumentonte Stock.

“Grupe kriminale përpiqen të shfrytëzojnë këto situata kaotike dhe gjindshmërinë e armëve, edhe ato të përdorura nga ushtria. Kjo sepse ato do të jenë objekt pazaresh në tregjet e errëta, duke krijuar të tjera sfida. Asnjë vend ose rajon nuk mund të zgjidhë këtë çështje në mënyrë të izoluar, pasi ata veprojnë në nivel global”, tha ai.

Stock shtonte: “Ne mund të presim një fluks armësh në Evropë dhe botë. Duhet të jemi të alarmuar pasi presim që këto armatime të trafikohen jo vetëm në vendet fqinje por dhe në kontinente të tjera”.

Ai nxiti vendet anëtare të Interpol të përdorin të dhënat për “ndjekje dhe gjurmim” të dërgesave.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë dërguar pa pushim armatime të përmasave dhe tipeve të ndryshme që prej nisjes së luftës tre muaj më parë, shkruan britanikja TheGuardian.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi kësaj jave se SHBA do të furnizojë Kievin me sisteme të avancuara armatimesh dhe municioni.

Por edhe pas tërheqjes së SHBA vitin që shkoi nga Afganistani pas afro 20 lufte, sasi të mëdha armësh ushtarake, shpeshherë të sofistikuara u lanë prapa dhe ranë në dorë të militantëve.

Stock shtoi në fjalën e tij në Paris, se konflikti në Ukrainë ka sjellë vjedhje të masës së madhe të fertilizuesve, si dhe në falsifikime të agro-kimikateve.

FOTO GALERI
1/3
Kreu i Interpol tha se armatimet e dërguara atje që prej nisjes së sulmit rus në shkurt do të përfundojnë në ekonominë e errët globale

Top Channel