Shqipëria në krye të Këshillimit të Sigurimit, Hoxha: Nisim me debatin për llogaridhënien për shkeljet e rënda, e drejton Rama

01/06/2022 18:56

Shqipëria ka marrë zyrtarisht presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Në këtë ditë historike, ambasadori ynë atje, Ferit Hoxha, në një konferencë për shtyp bëri me dije se presidenca shqiptare do të nisë punën me një debat të hapur të nivelit të lartë për forcimin e llogaridhënies për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Hoxha tha se këtë debat do e drejtojë kryeministri Edi Rama ditën e nesërme, temë e cila do të jetë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për anëtarët e tjerë.

Hoxha renditi prioritetet kryesore gjatë mandatit një mujor të Shqipërisë në Këshillimin e Sigurimit.

Pjesë nga fjala e Ferit Hoxhës në konferencë:

– Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë.

– Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit.

– Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.

– Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

– Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta: për gratë e dhunuara të Kosovës, për nënat e pikëlluara të Bosnjës, për fëmijët e Ukrainës, për viktimat pa emër në Tigray, për Azara në Afganistan, për Yazidët në Irak, për Rohyngias, për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan, për të arrestuarit në Siri, për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës; për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi.

Duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, për të gjithë ne, për atë që ne mbrojmë, për atë që na bashkon, për të mbështetur ligjin, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, për të ruajtur multilateralizmin.

– Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u përkushtuar ndaj normave dhe vlerave tona thelbësore dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të zbatuar pajtueshmërinë dhe për të ndaluar shkeljet. Nëse nuk respektohet dhe zbatohet, e drejta ndërkombëtare është vetëm letra mbi të cilën shtypet.

– Të gjitha vendet, shtetet anëtare të OKB-së kanë një rol për të luajtur. Shqipëria po bën pjesën e saj. Ngjarja jonë e parë shënuese ka të bëjë pikërisht me këtë.

– Përmbledhjet për këtë aktivitet, që siç thashë do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama, do të jenë kryetarja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë znj. Joan Donoghue, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet dhe profesoresha e Oksfordit Dapo Akande, si përfaqësues i Shoqërisë Civile.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA