Biznes me kufomat në morgun e Elbasanit/ Pas denoncimit të “Fiks Fare”, policia vë nën hetim mjekun ligjor dhe punonjësin e morgut

01/06/2022 13:18

Mjeku ligjor dhe punonjësi i morgut të spitalit të Elbasanit janë vënë nën hetim pas denoncimit të “Fiks Fare”.

Nën hetim janë A. K., 51 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë mjek ligjor dhe F. B., 42 vjeç, banues po në Elbasan, me detyrë punonjës i morgut.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke marrë shuma parash për ofrimin e shërbimeve nga morgu pranë Spitalit Rajonal të Elbasanit, në kundërshtimin me procedurën standarde, që nuk parashikon pagesë për këto lloj shërbimesh.

Mbi ta rëndojnë veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas policisë, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Bazuar në investigimin e emisionit “Fiks Fare”, morgu i Spitalit të Elbasanit është kthyer në qendër biznesi, ku punonjësit e këtij morgue kanë nisur të bëjnë pazare me familjarë apo të afërmit e viktimave që vdesin në spital apo në aksidente dhe për persona që ndërrojnë jetë në mënyrë natyrale në shtëpitë e tyre.

Pak ditë më parë një qytetar nga Elbasani telefonoi në redaksinë e emisionit Fiks Fare i cili u ankua se për tërheqjen nga morgu i këtij spitali të një të afërmi të tij i cili kishte ndërruar jetë i kishin kërkuar  500 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që nuk duhet të ndodhi kështu. Kaq ka mjaftuar që gazetarët e këtij emisioni të nisin edhe investigimin. Fillimisht gazetarët kërkuan të takonin punonjësit e këtij morgu, të cilët ishin në një nga dhomat e godinës së mjekësisë Ligjore në Elbasan. Të ndodhur para kësaj situate gazetarët biseduan me një nga mjekët e IML  duke i kërkuar atij që të kryente autopsinë mjekësore të një të afërmi të tyre me pretendimet se familjarët e të ndjerit ndodheshin jashtë vendit e vononin për të ardhur në ceremoninë mortore.  Mjeku u ka sugjeruar gazetarëve që të mos bënin autopsinë, por të ndjerin ta linin në frigoriferin e morgut të spitalit.  Gazetarët e kanë pyetur nëse kjo ka kosto për ta, mjeku i ka drejtuar të flasin me një nga punonjësit e morgut. Morgu është në po të njëjtën godinë me Mjekësinë Ligjore, por në kat të parë.

Me të mbërritur punonjësi i morgut  u ka kërkuar gazetarëve se sa ditë donim të linim në frigoriferin e morgut të ndjerin. Ku sipas punonjësit për një natë që ai do mbante të ndjerin në morg, qytetari duhej të paguante 300  mijë lekë të vjetra.  Por punonjësi i morgut ka shkuar edhe më tej duke treguar se mund të kryente të gjitha procedurat që mund të kryente një agjenci funerali. Që nga larja e të ndjerit tek kostumi e rrobat e brendshme, të cilat do i kushtonin të afërmve 200 mijë lekë të vjetra. Madje ai u tregon se me një çmim të mirë mund të sigurojë edhe arkivolin dhe e gjithë paketa në total do kushtonte 900 mijë lekë të vjetra.

Pasi kanë mësuar ofertën e punonjësit të morgut, gazetarët i kanë kërkuar atij 15 minuta kohë sa të flisnin me të afërmit e viktimës e më pas do t’i telefonin. Pas 20 minutash punonjësi i Morgut i ka telefonuar gazetarët, duke u kërkuar atyre  nëse janë dakord që të shkonte me makinën e spitalit të merrte të ndjerin në fshat dhe për ta dërguar në Morg.  Dhe të gjitha këto ndodhnin brenda një institucioni shtetëror, ku shërbimi  i Morgut civil është ambienti ku trajtohen kufomat përpara se të kryhet ceremonia e varrimit pa pagesë.

Pazaret e punonjësit të morgut.

Punonjësi i morgut – Mirë, qysh je?

Mjeku – Zotrisë i ka vdekur vjehrri, the?

Fiksi – Po. Kam problem që ata vonohen nesër e kam problemin me e lënë deri nesër. Ta sjell këtu

Punonjësi i morgut – Sa ditë?

Fiksi – Sot, nesër besoj e marr.

Punonjësi i morgut – – Me cilën agjenci e ke?

Fiksi – Sa ka vdekur para një ore, s’e kemi gjetur.

Mjeku – Ka të afërm?

Fiksi – Po ka, ata më thanë bisedo për këtu për ta lënë e bërë autopsinë, prandaj erdha më shumë. Se s’i di rregullat.

Punonjësi i morgut – Ideja është e mbajmë këtu sille, ideja është keni agjenci funerale? Me një fjalë ta lajmë, ta rregullojmë, ta veshim… ta fusim në arkivol.

Fiksi – Sa më shkon e gjitha?

Punonjësi i morgut – E gjitha çfarë?

Fiksi – Edhe agjencia funerale po qe puna më thuaj.

Punonjësi i morgut – Edhe një herë

Fiksi – Që të kemi mundësi t’u them kaq bën.

Punonjësi i morgut – Shiko, kopsite me njerëzit ça ka

Fiksi – Ata më thanë mua se s’kisha ardhur hiç,  se nuk e dija nga bien në botë.

Punonjësi i morgut – Atëhere, ku e ke, ose të vimë ta marrim ta lajmë, ta rregullojmë, ta veshim

Fiksi – Sa më shkojnë të gjitha?

Punonjësi i morgut –Me gjithë arkivol me gjithë funeral me të gjitha këto?

Fiksi – Po.

Punonjësi i morgut –Kostumi?

Fiksi – Kotumi patjetër se jemi njerëz.

Punonjësi i morgut – Janë këpucët, çorapet,brekë, këmishë, kanatjere me një fjalë të gjitha rrobat e reja.

Fiksi – I merr përsipër?

Punonjësi i morgut – I marr përsipër unë.

Fiksi – Bukur, sa më shkojnë?

Punonjësi i morgut – Këto shkojnë 200 mijë lekë ( të vjetra). Me një fjalë vetëm veshja.

Fiksi – Po ta mbani këtu 24 orë, një ditë i takon.

Punonjësi i morgut – Një ditë me gjithë larje e veshje këtu tek unë 300 mijë lekë ( të vjetra).

Fiksi – 300 (mijë lekë të vjetra)

Punonjësi i morgut – 300 (mijë lekë të vjetra)

Fiksi – 500 mijë lekë (të vjetra)   rrobet , agjencia funerale…

Punonjësi i morgut –Agjencia furnerale, të marrim një arkivol të thjeshtë me një fjalë 400 mijë lekësh. Më të lirin.

Fiksi – Komplet si pagesë 900 ( mijë lekë të vjetra). Për një çerek ore të kthej përgjigje

Punonjësi i morgut – Shkruaj numrin tim  të telefonit

Fiksi – Po patjetër.

Punonjësi i morgut – Më ço mesazh.

Fiksi – O…

Punonjësi i morgut –  069 .. … ..

Fiksi – Për një çerek ore të kthej përgjigje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA