Gazetari Çim Peka i ftuar në “Top Talk” foli për heqjen e të drejtës së Partisë Demokratike për votim në Partinë Popullore Europiane.
Peka e konsideron përfaqësimin e kësaj partie në PPE në nivelet më të ulëta.
“Nuk përfaqësohet me nivelet më të larta, në fakt nuk përfaqësohet fare. Ftesë nga partitë popullore nuk ka, nuk ka asnjë festë nga PP”, tha gazetari.
Sipas tij, situata aktuale në Partinë Demokratike ka ndikuar në mospërfshirjen e Partisë Popullore Europiane, kjo bazuar në faktin se Sali Berisha është shpallur ‘non grata’ nga DASH.
“Derisa të marrë rrugë ligjore, nuk duan të përzihen në këtë situatë të brendshme të Partisë Demokratike, që në një farë forme është mëse logjike. Ajo që nuk më duket logjike nuk është nga ana e Partisë Popullore por më duket nga ana e Partisë Demokratike, e cila duhet ta ndajë mendjen nëse është parti konservatore apo parti e qendrës së djathtë aleancë me’ non gratat’”, tha Peka.
Njëkohësisht, ai e konsideroi këtë paqëndrueshmëri të Partisë Demokratike si “një turli që është parë për 32 vite”.
“PD duhet të ndajë mendjen, nëse do të jetë parti konservatore le të jetë parti konservatore dhe ka ku orientohet, te konservatorët europianë. Nëse do të jetë edhe e qendrës, edhe liberale, edhe e djathtë, do të jetë kjo turli që kemi parë në 32 vjet”, u shpreh Peka.
Peka e cilësoi qëndrimin e të djathtës për herë të parë përballë Leninit, duke u bazuar në faktin që Sali Berisha është “non grata” nga Amerika.
Për sa i përket kryetarit të opozitës ai e konsideroi si i” llastuari i ambasadave, që çoi Partinë Demokratike në atë gjendje”.
“Kur në kishim një kryetarë opozite, një të llastuar të ambasadave e pamë ku shkoi PD-ja. Ne e provuam se ku përfundojmë me llastica ambasadash. Votat merren këtu, thuaj gjëra të vërteta shqiptarët të besojnë, mos thuaj gjëra të vërteta dhe nuk të besojnë”, u shpreh Peka.
Partia Demokratike pas shtatë vitesh anëtarësimit më të drejta të plota në grupimin më të madh politik europian, humbi të drejtën e votës për të zgjedhur drejtuesit e rinj të Partisë Popullore Europiane.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së ftesës zyrtare nga Partia Popullore Europiane, në Roterdam udhëtuan 3 deputet demokratë: Jorida Tabaku si pjesë e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Albana Vokshi si pjesë e delegacionit të grupimit të gruas europiane dhe Belind Këlliçi nga forumi i të rinjve.
Top Channel