Betohet Vuçiç: Do ruaj Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të Serbisë

31/05/2022 12:19

“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj”.

Kështu thuhet në tekstin e betimit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka bërë para deputetëve të Kuvendit më 31 maj, pasi fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar në zgjedhjet e prillit.

Teksti i betimit është i përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë dhe është në përputhje me preambulën e aktit më të lartë juridik të shtetit, ku thuhet se “krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.

“Vuçiç i përmbahet asaj që është shkruar në Kushtetutë. Sigurisht që mund të ketë dallime të caktuara mes asaj që shkruan dhe realitetit, por kjo nuk mund ta çlirojë atë apo organet e tjera shtetërore nga detyrimi që qëndron në Kushtetutë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i Fakultetit të Drejtësisë ‘Union’ dhe eksperti i të drejtës kushtetuese, Bogoljub Mirosavljeviç.

Preambula u përfshi në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, pas shpërbërjes së bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi, kur Vojislav Koshtunica, lideri i atëhershëm i Partisë Demokratike të Serbisë, ishte në krye të Qeverisë në Beograd.

A mund ta përmbushë presidenti betimin?

“Është krejtësisht e parëndësishme se çfarë do të premtojë Vuçiç me betimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd, duke vënë theksin në “ndarjen e tekstit të Kushtetutës nga realiteti”.

“A mundet presidenti, në realitet, të zbatojë atë që e ka thënë – nuk mundet. E pamë që nuk mundi të organizonte zgjedhjet atje, as referendumin për ndryshimin e Kushtetutës, për të mos thënë që nuk mundi të dërgonte ushtrinë e policinë, as nuk mundi të shkonte vetë atje”, tha Janjiç.

Presidenti i Serbisë ishte për herë të fundit në Kosovë në shtator të vitit 2018, kur vizitoi Ujmanin (Gazivodën) në veri të Kosovës dhe vendet ku jeton popullata shumicë serbe. Vizita u miratua nga autoritetet në Kosovë, ashtu siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit.

Top Channel