Sali Berisha është rikthyer në krye të Partisë Demokratike dhe mbështetësit e tij janë të bindur se ish-kryeministri do të t’ia dalë të mundë Edi Ramën, që po qeveris në mandatin e tij të tretë.
Por sipas analistit Dritan Hila, Partia Demokratike është e përçarë dhe me Berishën “që ka vdekur politikisht, edhe partia është e destinuar të vdesë”. I ftuar në “Top Talk”, ai liston disa arsye, që thotë se e pengojnë kreun e PD-së të bëjë opozitë të vërtetë.
“Fatkeqësisht, e vërteta është që as me Berishën nuk do të ketë opozitë. Berisha di të bëjë opozitë, është një kafshë politike, por Berisha nuk po e përmend atë damkën ‘non grata’, që është thyesa që ia zeron të gjitha vlerat e tjera.
Berisha ka problemin e madh të moshës në gjendjen civile, ka problemin e madh të ekipit që ka zgjedhur e nuk thotë asgjë të re. Shqiptarët janë lodhur, jo vetëm nga gjuha e Berishës, janë lodhur nga e kaluara e tij, po dhe nga mungesa e ideve të tij. Një brezi të ri, nuk ka çfarë i thotë Berisha.
Berisha ka vdekur politikisht dhe PD-ja ka vdekur, kemi tre fraksione që do përçahen dhe do të hanë njëri-tjetrin”.
Grupimet brenda opozitës i tremben njëri-tjetrit, më shumë se sa i tremben Edi Ramës, thotë analisti.
“Kjo tregon qasjen e trembur të opozitës, përçarjen e brendshme të saj, ku kemi tre grupime. Është grupi i Sali Berishës, i Lulzim Bashës dhe njëri që nuk është me asnjë nga këta të dy.
Ata më shumë se Edi Ramës i tremben njëri-tjetrit, për mënyrën si do të përdoren. Këta që përfaqësojnë opozitën deri më tani në parlament, janë të trembur nga Sali Berisha.
Ky është zhgënjim i madh se është një shenjë që këta nuk kanë këllqe t’i dalin para Sali Berishës. Nëse ne do të prisnim një lider në PD, betejën e parë ata duhet ta bënin me Sali Berishën, pastaj mund ta bënin me Edi Ramën. Rama nuk i ka fare në referencë sepse këta nuk kanë vota”.
Si e përçarë dhe e dobët, e djathta ka frikë të bëjë betejën reale dhe prandaj merret me një betejë imagjinare, shton Hila.
Top Channel