Dy zonjat nga Holanda nuk kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për ndeshjen Rome-Feyenoord, por për efektet që ka sjellë ajo te djemtë e tyre, që janë tifozë dhe që u arrestuan pak orë përpara Conference League.
Davei Boon dhe Denis Haulingen, njëri 21 dhe tjetri 25 vjeç, dyshohen se plagosën rëndë me sende të forta një shtetas shqiptar siç edhe tregohet në pamje. Por akuza për të cilën tifozët përfunduan në burg dhe jo në stadium, do duhet të provohet. Ndaj, me kërkesë të prokurorisë, gjykata i la dy tifozët e Feyenoord nën arrest me burg deri në 13 qershor, një kohë e cila u vu në dispozicion të hetimeve derisa mjekësia ligjore të tregojë shkallën e dëmtimit të shqiptarit dhe nga ana tjetër kriminalistika të kqyrë kamerat e të saktësojë veprimet e secilit.
Avokati shqiptar i mbrojti dy të rinjtë me tezen se janë arrestuar gabimisht.
Përmes një përkthyesi, dy të rinjtë komunikuan me gjykatën shqiptare duke dhënë versionin e tyre.
Por megjithë kundërshtimet dhe shqetësimin, dy holandezet u dërguan në paraburgim. Një i tretë qe u kap me kokainë dhe që shpjegoi se është përdorues, del para gjykatës në fundjavë.
Top Channel