Kurti: Isha në Shtëpinë e Bardhë, qëllimi i vizitës në SHBA ishin siguria dhe investimet

27/05/2022 15:36

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti ka thënë të premten se qëllimi i vizitës dyjavore ka qenë siguria dhe investimet në Kosovë.

“Dy qëllime kryesore kanë qenë të kësaj vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e para është investimet në Kosovë, e dyta është siguria për Kosovën. Shumicën dërmuese të takimeve i kam pasur me kompanitë e ndryshme, të cilët i kam njoftuar për progresin në Kosovë për shanset në investime dhe kam kërkuar kontributin e tyre përmes përfitimeve të dyanshme dhe tjetra ka qenë siguria për Kosovën në dritën e problemeve të cilat i kemi në Ballkan, e këto probleme kanë një burim kryesor e që është Beogradi zyrtar dhe së fundmi edhe lidhja e ngushtë e tyre me një shtet që ndodhet në luftë si puna e Federatës Ruse“, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se në Amerikë ka kërkuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe në NATO që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim Këshillin e Evropës ku tashmë kemi aplikuar, aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit, përveç shteteve anëtare, e në mesin e të cilave duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithashtu kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Kurti përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi,

Është përmendur edhe dialogu Kosovë-Serbi me ç’rast qëndrimi dhe qëllimi është i palëkundshëm. Pra, Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me ç’rast në qendër duhet të jetë njohja reciproke”, theksoi Kurti.

Top Channel