Gruaja krijon vetë makinën e saj elektrike, vetëm për të treguar se ‘mund të bëhet’ (fotot)

27/05/2022 16:48

Rosemary Penwarden thotë se automjeti që karikohet nga panelet diellore në çatinë e shtepisë, ka ecur pa probleme prej tre vjetësh dhe falenderon kompanitë e naftës për motivimin.

Gruaja nga Zelanda e Re ka konvertuar një makinë 29-vjeçare në automjet artizanal elektrik, “vetëm për të treguar se mund të bëhet”.

Penwarden ka drejtuar mjetin e saj të konvertuar në ishullin South Island pasi bashkë me një mikun e saj punuan për tetë muaj deri në realizimin e projektit.

“Duhet të jesh pak i çmendur për këtë, por falenderoj kompanitë e naftës që më dhanë motivimin”.

Penwarden bleu trupin e makinës së vitit 1993 nga një parking dhe e hoqi vetë motorin e saj me djegie.

Ajo e zëvendësoi atë me një ‘kambio’ të re marshi dhe motor elektrik dhe më pas mbushi hapësirat boshe të bagazhit dhe motorit me bateri.

Penwarden thotë se i gjithë projekti i kishte kushtuar $20,000 dhe pas disa vitesh duke udhëtuar me të, shpikja e saj erdhi në vëmendjen e gazetarëve lokalë.

Inxhinieri i ftohjes Hagen Bruggemann, i cili ndihmoi Penwarden të konvertonte makinën, ka bërë tashmë tetë konvertime të tilla. “mund të flasësh sa të duash për këto përrallat e mjedisit por duhet t’i realizosh në të vërtetë”, thotë ai.

Penwarden është një aktiviste e mjedisit por pranon se koha dhe përpjekjet që i kushtoi konvertimit të makinës, nuk mund të gjenden nga kushdo.

Ajo thotë se makina do të shpërblejë shpenzimet e bëra pasi dikur shpenzonte $100 në javë për të udhëtuar në punë.

“Vetëm fakti që po tregoj se çfarë mund të bëjë vetë njeriu, është i paçmueshëm,” thotë ajo.

FOTO GALERI
2/4
Gjyshja nga Zelanda e Re ka konvertuar një makinë 29-vjeçare në automjet artizanal elektrik, “vetëm për të treguar se mund të bëhet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA