“Rama e ka paracaktuar Presidentin”/ Bardhi: Mos të vazhdojmë më me këtë farsë

26/05/2022 11:29

Procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri, Gazment Bardhi e quan një farsë, pasi thotë se “Edi Rama e ka paracaktuar kreun e shtetit”.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, të thirrur nga Enkelejd Alibeaj, Bardhi është shprehur se “që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Opozita duhet të hynte në proces për t’i rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual”. 

“Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për t’i ofruar shqiptarëve një President konsensual. Shumica ra dakord publikisht për propozimin e procedurës së propozuar nga ne. Vetëm pas nisjes së procesit dhe propozimeve me emra konkret të grupit, Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja. Pas tërheqjes nga marrëveshja publike, unë mendoj që grupi ynë duhet ta konsiderojë të mbyllur këtë proces. Edi Rama prishi marrëveshjen me opozitën, sepse nuk do një President për shqiptarët. Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja, sepse e ka paracaktuar Presidentin. Prandaj unë mendoj që grupi duhet të dalë me një deklaratë ku të sqarojë këtë pozicion dhe ne nuk duhet të vazhdojmë më me këtë pasi maska e fasadës së Edi Ramës ka rënë”.

Në dy raundet e para, kuvendi ka dështuar të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës, dhe ka shumë gjasë që as në raundin e tretë të mos kemi një emër për kreun e shtetit. Negociatorët e mazhorancës nuk kanë propozuar emra në raundin e dytë dhe nuk do të propozojnë emra as në raundin e tretë, duke ia lënë mundësinë vetëm opozitës. Por Alibeaj këmbëngul se mazhoranca ka shkelur marrëveshjen, duke u tërhequr kështu nga procesi për zgjedhjen e Presidentit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA