Mehmeti: Sezon me dy tablo, kompleksi do të na ndihmojë për akademinë

26/05/2022 20:30

Ndonëse pa objektiva, Partizani dhuroi një tjetër paraqitje bindëse në javën e fundit të kampionatit, duke triumfuar me rezultatin 3-4. Trajneri Dritan Mehmeti vlerësoi maksimalisht performancën e të kuqve në gjysmën e dytë të sezonit dhe tha se tani i takon klubit të riorganizojë ekipin, për të shkuar më lart sezonin tjetër.

Java e fundit, por skuadra ishte e motivuar për të marrë fitoren, edhe pse me objektiv të realizuar…
Të dy skuadrat ishin të motivuara, pasi Laçi ka një ekip mjaft të mirë dhe të imponon respekt, sepse ka bërë një kampionat shumë të mirë. Duhet të tregohesh profesionist dhe të jesh kërkues, pasi vetë fanella e Partizanit ta imponon diçka të tillë. Provova edhe 2-3 elementë të rinj, por kanë ende nevojë për shumë punë, për të qenë gati për Superioren.

Çfarë prisni nga e ardhmja?
Sa i përket elementit të ri, duhet të kuptojmë që kemi 3-4 të tillë, të cilët kanë cilësi të mira, pro duhet të punojnë shumë. Duke i pasur parasysh për vitin tjetër, duhet shumë punë, pasi Partizani do të luftojë për titullin. Klubi punon fort në mënyrë që të ketë edhe prurje nga akademia, jo vetëm nga merkatoja. Tani që po përfundon edhe ndërtimi i kompleksit, do të kthejmë vëmendjen edhe nga akademia, ku synojmë të kemi shumë prurje.

Si e vlerësoni këtë sezon të Partizanit në kampionat?
Do ta vlerësoja me dy tablo, pasi ka ndryshuar shumë në përbërje dhe në një tranzicion kaq të madh, priten edhe rezultate të tilla. Megjithatë duke pasur parasysh nga u rinisëm në janar, arritëm atë që askush nuk e priste. Vetë statistikat e tregojnë mënyrën si e kemi interpretuar pjesën e dytë të kampionatit. Shpresojmë që të rrimë me këmbë në tokë dhe të punojmë mirë për t’u riorganizuar që të mos kemi më luhatje./SUperSpoer

Top Channel