“Java italiane” ka sjellë në Tiranë kryetarin e Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti i cili u prit në një takim nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për një bisedë lidhur me projektet e përbashkëta në fushën e artit si dhe zhvillimi i disa shfaqjeve teatrale në kryeqytet.
“Ndeshja e djeshme përfundoi me Romën kampione, por në 2 Qershor është festa e Republikës së Italisë, çka përkon me Javën Italiane të Kulturës në Tiranë. Më vjen mirë që nga vendi i Verdit, Parma, do të kemi një shfaqje për Teatrin tonë të Operës dhe Baletit”, njoftoi Veliaj.
Ai vlerësoi sjelljen e tifozëve italianë dhe holandezë gjatë dhe pas ndeshjes, ku nuk pati incidente. “Më vjen shumë mirë që gjithçka shkoi mirë mbrëmë. Të dyja skuadrat krijuan një fair-play, të dyja tifozeritë u sollën në mënyrë të kulturuar dhe ato pak incidente të dy ditëve më përpara, jam i sigurt se nuk do të mbahen mend, kur kam parasysh se sa mirë kaluan njerëzit, se sa pastër u gdhi qyteti”, theksoi ai.
Veliaj shprehu mirënjohjen qytetarëve të Tiranës për mikpritjen e tifozëve, si dhe falenderoi punonjësit e pastrimit që e kthyen qytetin në normalitet menjëherë pas ndeshjes. “Sot jam mirënjohës jo vetëm për mënyrën se si u sollën skuadrat dhe tifozeritë, por kryesisht jam krenar për qytetarët e Tiranës: Njerëz mikpritës, të duruar, e liruan qytetin për miqtë, ndalën makinat, i dhanë hapësirë të gjithë atyre që na erdhën për vizitë. Jam sot më shumë se kurrë krenar për Tiranën, por edhe për të gjithë ata që kanë punuar, duke filluar nga pastruesit, tek ata që punuan me logjistikën, policët bashkiakë, zjarrfikësit, të gjithë ata që krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.
Ndërkaq, Tirana dhe Parma do të vijojnë marrëdhënien e tyre të veçantë me disa vepra të rëndësishme në fushën e artit. Një prej tyre do të jetë dhe transformimi i një prej hapësirave te Parku i Liqenit në një teatër të hapur për fëmijë. “Do të vazhdojmë me aktivitetet tek Liqeni me teatrin e hapur “Pinoku”, një hapësirë e ripunuar për t’u kthyer në një teatër fëmijësh në natyrë, për t’u siguruar që vazhdojmë të pasurojmë me hapësira shumë dinjitoze parkun e Liqenit të Tiranës”, nënvizoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe komunitetin shqiptar, veçanërisht për promovimin e kulturës. “Sot jemi këtu për të përuruar një hapësirë kushtuar personazhit të Pinokut, i cili ka një lidhje me qytetin tonë, me Carlo Collodin, me fondacionin që mban të njëjtin emër dhe që ka lidhje të forta në qytetin tonë, por kryesisht në aspektin kulturor. Shpresojmë se do të jetë fillimi i shumë aktiviteteve që do të zhvillojmë mes dy teatrove tona. Por, edhe çështjet mjedisore mund të jenë në fokus të bashkëpunimit me Tiranën”, deklaroi Pizzarotti.
Top Channel