Një grup i grave afgane kanë protestuar në Kabul kundër mbylljes së vazhdueshme të shkollave për vajzat mbi klasën e gjashtë, teksa një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se kufizimet e talibanëve ndaj të drejtave të grave kanë për qëllim që të bëjnë gratë “të padukshme”.
Vajzave u është ndaluar shkollimi mbi klasën e gjashtë, në pjesën më të madhe të Afganistanit, prej kthimit të talibanëve në pushtet në gusht të vitit 2021.
Në muajin mars, talibanët kanë marrë vendim për mbyllje të shkollave të mesme, në mëngjesin kur ato ishte planifikuar që të hapeshin.
Në protestën e 26 majit janë parë rreth 20 gra dhe vajza duke marshuar te shkolla e mesme e Kabulit, Maryam, duke bërë thirrje që talibanët të rihapin shkollat.
“Ju ma morët bukën dhe shkollën dhe nuk mund të studioj”, kanë bërtitur ato.
Disa dëshmitarë kanë thënë se pas 10 minutave të protestës, militantët talibanë kanë shpërndarë gratë, duke shtënë me armë zjarri në ajër.
Një protestuese ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tri gra janë ndalur përkohësisht dhe më pas janë liruar, pasi talibanët ua kanë verifikuar numrat e telefonit.
Azir Ahmad Takour, zëdhënës në Ministrinë e talibanëve për Arsim, ka mohuar pengimin e protestës.
“Kjo është propagandë. Ne nuk e kemi ndaluar asnjë protestë sot”, ka thënë ai.
Prej marrjes së pushtetit vitin e kaluar – teksa trupat ndërkombëtare kanë përmbyllur misionin në Afganistan, talibanët janë zotuar se do të udhëheqin më ndryshe sesa kur kanë qenë në pushtet për herë të parë më 1990.
Atëbotë grave u janë ndaluar shumë të drejta dhe janë ndëshkuar përmes sulmeve me gurë në publik dhe ekzekutimeve.
Premtimet e afganëve tani shihen me dyshime nga shumë afganë dhe qeveri në shumë vende të botës, pasi grave u është ndaluar dalja në publik pa qenë të shoqëruara nga ndonjë familjar burrë./ REL
Top Channel