Balena gungaçe e bllokuar në rrjetën e peshkatarëve ‘falenderon’ zhytësit guximtarë që e shpëtuan (fotot)

26/05/2022 17:30

Disa zhytës spanjollë arritën të shpëtojnë jetën e një balene gungace 12 metra të gjatë që ishte bllokuar në një rrjetë ilegale peshkimi, pas një operacioni të guximshëm për të prerë rrjetën dhe lirimin e gjitarit.

Balena kishte ngecur në fundjavë në rrjetën speciale të mbledhjes së gjallesave të fundit të detit, panë bregdetit të Mallorca.

Kjo ishte vetëm hera e tretë që specia ishte parë në rajonin e detit Balearik por gëzimi i vendasve dhe studiuesve u shua shpejt kur panë që kafsha ishte në telashe prej rrjetës që i kishte mbetur rreth gojës.

Specialistët u vunë në alarm kur krijesa gjigante u pikas nga një barkë disa kilometra larg brigjeve.

Më pas zhytës nga Akuariumi i Palma de Mallorca u dërguan për të tentuar çlirimin e kafshës nga rrjeta, e cila mund të përbënte rreziqe të tjera për botën e egër.

Një nga zhytësit e përfshirë në operacion, biologia detare Gigi Torras, tha se pas lirimit balena i kishte dhënë një shenjë të vogël falenderimi.

32-vjeçarja tha: “Ishte një eksperiencë e pabesueshme. Rreth 10 sekondat e para ajo u bë pak nervoze, nisi të lëshonte fluska, por më pas diçka ndryshoi. Më quani të çmendur por ajo e kuptoi se ishim aty për ta ndihmuar dhe thjesht u relaksua duke na lënë të punonim duke prerë rrjetën nga goja e saj dhe më prapa”.

Por kjo nuk ishte tentativa e parë e shpëtimit të balenës, pasi grupit të zhytësave iu bashkuan dhe aktivistë nga qendrat e zhytjes Albatros e Skualo.

Torras shtonte: “Unë vijova të pres e të pres rrjetën derisa balena dha një shkundje të lehtë duke u çliruar prej saj”.

Ajo shtonte se u deshën 45 minuta punë për të çliruar kafshën nga litarët. Balena kishte qëndruar disa minuta aty rotull me katër zhytësit për të rifituar fuqitë, dhe më pas ishte larguar.

Rrjetat masive të lëshuara në fund të detit janë ndaluar prej disa dekadash pasi vrasin një sasi të madhe të botës së egër detare përveç peshqve që supozohet të kapin.

FOTO GALERI
3/5
Specialistët u vunë në alarm kur krijesa gjigante u pikas nga një barkë disa kilometra larg brigjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA