Presidenti rus Vladimir Putin ka ngritur në detyrë ish-bodyguard-in e tij duke e bërë minister emergjencash të Kremlinit, disa muaj pasi pararendësi i tij ra drejt vdekjes në mënyrë misterioze nga një ujëvarë.
Major-Gjeneral Alexander Kurenkov, 49 vjeç, i nominuar sot nga Putin, është zyrtari i gjashtë i sigurisë që emërohet në post të lartë pranë presidentit, shkruan britanikja Daily Mail.
I fundit që mbante këtë post ishte Yevgeny Zinichev, gjithashtu ish-roje e Putin, i cili vdiq kur ra nga më shumë se 30 metra, në ngjarjen e kontestuar si të dyshimtë.
I njohur ndryshe si ‘njeriu pa fytyrë’, pak dihet për ministrin e ri Kurenkov, përveç faktit se ka punuar në shërbimet e inteligjencës FSB. Kurenkov ka qenë ish-mësues shkolle por më pas është parë afër Putin në shumë evente.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për emërimin: “Putin e njeh mirë atë personalisht. Kjo do të thotë se cilësitë dhe aftësitë personale i lejojnë të shërbejë në atë funksion”.
Ndërsa kritikët në Perëndim thotë se Putin është gjithnjë e më shumë paranojak dhe i beson postet vetëm atyre që mund t’i besojë jetën.
Më herët në funeralin e Zinichev, Putin ishte parë i shtangur duke e quajtur vdekjen e tij “humbje të pazëvendësueshme personale”.
Kritiku profesor Valery Solovey hidhte dyshime mbi vdekjen e Zinichev, duke thënë: “Dua ta them menjëherë se nuk është vdekja por vrasja e gjeneralit. Ai nuk vdiq vetëm, shumë njerëz e ngjarje vdiqën me të.”
Një tjetër roje personale e presidentit Sergei Morozov, 49 vjeç, është caktuar guvernator i rajonit të Astrakan para se të rikthehej në shërbimet e inteligjencës me gradën Major-gjeneral.
Rangun më të lartë të zyrtarëve të sigurisë duket se e ka arritur Gjeneral Viktor Zolotov, 68 vjeç, i cili drejton Gardën Kombëtare ruse.
Ky i fundit ka qenë gjithashtu roje personale e presidentit të parë post-komunist rus Boris Yeltsin.
Top Channel