Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, konfirmuan se duan të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, veçmas me Malin e Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, po merr pjesë për herë të parë në takimet e Davosit si kryeministër i vendit. Ai po ashtu ka zhvilluar edhe takime të ndara me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Një takim i përbashkët i krerëve u zhvillua në panelin e titulluar: “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”, i cili u mbajt pas dyerve të mbyllura më 25 maj.
Siç njoftoi Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky panel kishte për synim të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare.
Nga Qeveria e Malit të Zi thanë se në këtë takim u diskutua se si Qeveria dhe biznesi mund të punojnë së bashku për të forcuar qëndrueshmërinë e rajonit dhe për të siguruar lidhjet e tij me partnerët kryesorë në një kohë kur rreziku gjeopolitik është në rritje.
Krahas Kurtit dhe Abazoviçit, në këtë panel ishin të pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe të tjerë.
Në panel nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë. Forumi në Davos mbahet nga 23 deri më 26 maj, pas dy vjetësh pauzë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Deri më tani, nuk është raportuar për një takim dypalësh midis Kurtit dhe Vuçiçit.
Ndërkaq, më 24 maj, Kurti dhe Abazoviq, gjatë një takimi në Davos, u pajtuan që në vjeshtë, qeveritë e dy vendeve të mbajnë një takim të përbashkët.
“E urova për detyrën e tij të re si kryeministër i Malit të Zi. Diskutuam bashkëpunimin dhe për synimin që të rrisim më tej zhvillimin dhe investimet, veçmas në infrastrukturën e nevojshme për lidhjet Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë”, shkroi Kurti në Twitter.
Abozoviq tha se të dy liderët janë zotuar se do të angazhohen për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, që do të përmirësonin lidhjet mes dy shteteve dhe do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ftoi Abazoviçin që t’i bashkohet takimit të radhës të nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Edhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviçin gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por edhe për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne në takimin e nismës së ‘Ballkanit të Hapur’ në Ohër”, tha Vuçiç përmes një postimi në Instagram.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.
Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviç e mbështet konceptin e kësaj nisme. Abazoviç ka shprehur mbështetje për këtë nismë gjatë një interviste për Klan Kosovën më 11 maj.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.
Pas takimit me presidentin serb, Abazoviç tha se shteti i tij është duke bërë përpjekje për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës dhe kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Marrëdhëniet me Serbinë janë prioritet – jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, shkroi Abazoviç në llogarinë e tij në Twitter.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka biseduar me Abazoviçin për potencialet ekonomike dhe mundësitë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të NATO-s, të cilin do ta shtrijmë edhe në procesin e integrimit në BE, si qëllim i përbashkët strategjik”, tha Pendarovski përmes një postimi në Twitter.
Presidenti maqedonas ka zhvilluar bisedime edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në takim me presidentin serb, dy liderët kanë përshëndetur vendimin e Kishës Ortodokse Serbe për njohjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase.
Ndryshe, pushtimi rus i Ukrainës është në fokus të forumit n Davos, i cili filloi të hënën me fjalimin përmes video-lidhjes të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai ka thënë se Rusia ka kryer pothuajse 1500 sulme me raketa dhe mbi 3000 sulme ajrore kundër Ukrainës në tre muajt e parë të luftës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur edhe Ukrainën gjatë qëndrimit të tij në Davos. Gjatë një vizite në Shtëpinë Ruse, vendi i cili përdoret nga delegacioni rus në Davos, është kthyer në një “Shtëpi ruse të krimeve të luftës” nga artistë ukrainas.
“Shtëpia tronditëse ruse e krimeve të luftës në Davos është një monument i gjallë se si gjërat po ndryshojnë shpejt: nga këndi i lojërave të diplomatëve/oligarkëve rusë në një ekspozitë të humbjes, pikëllimit dhe dhimbjes së madhe që po vuan Ukraina. Është mirë të shohësh një botë të bashkuar kundër regjimit gjenocidal të Rusisë”, tha Kurti.
Në ditën e dytë të Forumit, të martën në Davos, liderët e disa vendeve evropiane dhe kreu i NATO-s ranë dakord se forcimi i sistemit të armëve dhe armatosja e Ukrainës është me rëndësi kyçe gjatë pushtimit rus.
Në panelin për sigurinë në Evropë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se mënyra më e mirë për të mbështetur Ukrainën është sigurimi i armëve, gjë që aleatët po bëjnë shumë në këtë drejtim. Ai përsëriti, megjithatë, se ndërsa mbështet Ukrainën, NATO-ja nuk do të jetë pjesë e konfliktit./REL
Top Channel