Marrim gjërat me radhë dhe të analizojmë edhe njëherë atë që ndodhi mesnatën duke gdhirë 10 Prilli i vitit 1994. Ushtari i parë që u përball me komandot ishte Gramoz Meleqi i cili ishte me shërbim në perimetrin e jashtëm. Ai u ka bërë thirrje personave të panjohur të ndalojnë. Ata kanë nisur ta qëllojnë me grushte dhe sende të forta deri sa e kanë lënë pa ndjenja. Ushtari nuk ka arritur të përdorë armën e shërbimit pasi nuk kishte municione.
Në perimetrin e jashtëm shërbente edhe roja Arsen Gjini 20-vjeç, i cili u ekzekutua nga grupi i armatosur. Ai ishte goditur me plumb pas shpine. Në dëshminë e ushtarit Gramoz Shahini thuhet se ka parë teksa një prej komandove e kishte kapur Arsenin e plagosur nga qafa duke e tërhequr zvarrë. Në fund, ai e përplasi përtokë kur u afruan pranë kapanonit. Gjini kishte ndërruar jetë pas pak çastesh.
“Ka fiksuar një person tjetër të armatosur, të maskuar i cili solli në kapanon të kapur për qafe ushtarin Arsen Gjini dhe e lëshoi për tokë. Me vonë ka fiksuar se Arseni ishte qëlluar me armë pas shpine dhe nuk fliste fare” citohet dëshmia në dosjen hetimore
Autorët e sulmit ishin veshur sipas dëshmive me kamuflazh ushtarak dhe në duar mbanin armë gjuetie tip shotgun. Gëzhojat e gjetura në vendngjarje përputheshin me përshkrimin e llojit të armëve që bënë dëshmitarët. Aty, nuk u gjet asnjë gëzhojë e armëve të repartit shqiptar. Pra, askush nuk kishte qëlluar mbi agresorët.
Nga grupi dallohej një person i cili fliste mjaft qartë shqipen, të ngjashme me theksin që flitet në zonat minoritare në Jug.Në të dy katet e godinës ishin rreth 130 ushtarë, kryesisht rekrutë të rinj. Ata u kapën në befasi dhe nuk kishin armë në momentet e sulmit.
Oficeri drejtues i Postës Fatmir Shehu dhe të gjithë ushtarët u grumbulluan të gjithë në katin e pare nën kërcënimin e armëve. Në dosjen hetimore zbulohen dëshmitë që nxjerrin në pah qëndresën që kishte bërë komandanti Shehu, i cili u kishte kërkuar agresorëve të mos merreshin me ushtarët por të përballeshin me oficerët.
“Oficeri Fatmir Shehu ka debatuar me personin e armatosur duke i thënë: “Nuk keni punë me ushtarët merruni me ne oficerët”. Në moment personi i armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të Fatmirit i cili është rrëzuar tek shkallët” citohet në dosjen hetimore
Oficeri Fatmir Shehu mbeti i plagosur, por fatkeqësisht humbi jetën pak minuta më vonë. Në dëshminë e dhënë aso kohe, Fiqiri Shehu, vëllai i dëshmorit ngre dyshime se Fatmirit nuk i është dhënë ndihmë.
“Tre ditë para se të ndodhte ngjarja në Peshkëpi sipas Fiqiriut në lokalin e fshatit ka ndodhur një zënkë midis një ushtari të postës dhe një personi nga ky fshat. Fatmiri ka ndërhyrë për ti ndarë por është qëlluar me pëllëmbë nga Qemali. Gjithashtu kur ka shkuar për ngushëllim në shtëpinë e tij Qemal Stroka ka thënë se natën e ngjarjes një nga anëtarët e grupit terrorit i ka thënë Sihat Selfos që mos i jepni ndihmën e parë Fatmirit”
Në dosjen hetimore thuhet se këto informacione janë në proces verifikimi dhe nuk dihet nëse ka diçka më tepër që mund të lidhë ish ushtarët e repartit në bashkëpunim me agresorët.
“Duke patur në konsideratë që 4 vite që kishin dalë nga diktatura, autoritete dihet si funskionuan në diktaturë, patëm dyshim të amdh pse disiplina shkoi nivele aq ulët sa të shkatërrohet një repart brenda aq pak minutash” u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror i dosjes
Pasi hapën zjarr mbi Fatmir Shehun, agresorët kanë qëlluar disa herë në mënyrë të shpërqendruar, kryesisht në ajër, për të terrorizuar ushtarët. Këto janë momentet kur plagoset edhe ushtari Ardian Velmishi. Ai tenton të arratiset duke u hedhur nga dritarja, por një prej komandove qëllon drejt tij. E gjithë skena shoqërohej me thirrjet e përsëritura të esktremistëve se këto që po ndodhnin ishin për Vorioepirin dhe se asgjë nuk do të harrohej.
Top Channel