Pavarësisht nga lufta në Ukrainë, Turqia shpreson të bëjë biznes me shumë pushues nga Rusia.

Për këtë arsye, ka lehtësuar pagesat, transferimet e parave dhe qasjen në llogari për qytetarët rusë. Këta të fundit mund të përdorin kartat e kreditit që janë pjesë e sistemit rus të pagesave Mir për të tërhequr para në Stamboll nga automatet e lidhura me sistemin e pagesave në fjalë.

Bankomatet e disa bankave pranojnë tërheqje me karta ruse. Bankat e tjera turke, në të cilat kanë aksione institucionet e huaja financiare duket se janë më të kujdesshme për shkak të sanksioneve.

Ministri turk i financave, Nurredin Nebati, u ka premtuar udhëtarëve rusë në Turqi se nuk do të kenë probleme për të paguar me kartat Mir në Turqi këtë sezon, edhe pse , banka qendrore e Ukrainës i bëri thirrje Turqisë që të mos pranonte më pagesa nëpërmjet sistemit Mir.

Që nga fillimi i luftës, Turqia ka qenë një vend ku qytetarët rusë nuk duhet të shqetësohen për humbjen e qasjes në llogaritë e tyre në rubla. Sipas gazetës së internetit “Duvar English”, rusë të pasur derdhën para në tregun turk të pasurive të paluajtshme pas pushtimit rus të Ukrainës.

Në prill, blerja e pasurive të paluajtshme nga rusët u dyfishua në krahasim me një muaj më parë. Në vitin 2021, Turqia priti 4.7 milionë turistë rusë, numri më i lartë nga çdo vend tjetër. Pavarësisht sanksioneve perëndimore, presidenti Rexhep Tajip Erdogan po punon shumë për të siguruar që pushuesit rusë të mund të vazhdojnë të pushojnë në rivierën turke këtë vit.

Top Channel