SHBA do mbrojë Tajvanin, Biden del hapur: Nëse sulmohet do jetë si Ukraina

23/05/2022 11:59

Presidenti Joe Biden e artikuloi hapur se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë ushtarakisht Tajvanin nëse ishulli sulmohet nga Kina.

Deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë pritet të shkaktojë polemika të forta në Pekin në një kohë përshkallëzimi të tensioneve pas shtimit të aktivitetit ushtarak kinez në rajon.

“Ky është angazhimi që ne kemi marrë. Kjo është situata. Ramë dakord me politikën e një Kine, e nënshkruam atë dhe të gjitha marrëveshjet e synuara që u arritën prej saj. Por ideja se Tajvani mund të merret me forcë nuk është thjesht e përshtatshme, ajo do të trazonte të gjithë rajonin dhe do të përbënte një tjetër veprim të ngjashëm me atë që ndodhi në Ukrainë.”- tha Biden.

Biden shtoi se është detyrë e SHBA-së që ta mbrojë ishullin e vetëqeverisur, të cilin Kina e konsideron si province të shkëputur të sajën. Kjo deklaratë e Biden konsiderohet edhe më e fuqishme tani, në kohën kur Rusia po e vazhdon agresionin e saj ndaj Ukrainës, në ndërkohë kjo po cilësohet edhe si një nga deklaratat më të forta në dekadat e fundit për mbështetjen ndaj Tajvanit.

Komentet e tij erdhën  pas bisedës që pati me kryeministrin japonez Fumio Kishida, ku u tha se Washingtoni zyrtar e mbështet anëtarësimin e përhershëm të Japonisë në këshillin e sigurisë të OKB-së dhe planet e Tokios për rritjen e sigurisë dhe rritjen e shpenzimeve për ushtrinë dhe mbrojtjen, shpenzime me të cilat ata po kërkojnë t’u kundërvihen agresivitetit të Kinës dhe Koresë Veriore, e cila po vazhdon të rritë kapacitetin e saj nuklear.

 

 

Top Channel