Duke qenë se të rinjtë po largohen nga vendi gjithandej po shohim njoftime ku kërkohen profesionistë. Ne do të sjellim historinë e usta Lefter Spirollarit, që punon prej 40 vjetësh si mekanik dhe hidraulik.

 “Unë jam 71 vjeç dhe vazhdoj të punoj akoma. Përderisa jam në gjendje të punoj dhe kërkesa ka, pse të mos e bëj. Kemi aq shumë punë, sa punoj nga e hëna në të dielë. Më përpara të dielën e bënim pushim, tani jo më. Nuk di të rri një ditë pa punë.”- tha hidrauliku Lefter Spirollari.

Dita ime nis në orën 8 dhe mbaron në 6-7 të darkës. Ne na lidh puna edhe me profesione të tjera dhe vërejmë që ka mungesë si në zanatin tonë ashtu edhe tek elektriçistët, pllakaxhinjtë, muratorët. Edhe neve vëmë ndonjë prizë ndonjëherë, pra bëjmë elektriçistin nga e keqja, pasi mungojnë.

Të rinjtë nuk kanë qejf fare të punojnë këtu. Më mirë shkojnë e punojnë tre muaj jashtë dhe rrinë tre muaj këtu. Janë mësuar me pagesa më të larta jashtë vendit.

Unë kam dalë në pension, por punoj privatisht. Ja sot kam dy persona që kërkojnë shërbimin e hidraulikut. Njëri duhet të presë, por nuk kam ç’bëj. Çmimet tona janë rritur, janë diku tek 50-70 mijë lekë më shumë.

Nuk i gënjej klientët, sepse po gënjeve dëmton vetëm veten, asnjë tjetër. Nuk kam menduar ndonjëherë të shkoj të punoj jashtë. Përderisa kam punën, familjen, kam shtëpinë, s’kam pse largohem jashtë. Puna ime më ka shpërblyer. Kam blerë shtëpi dhe bëj një jetë të kënaqshme.

Aq punë kam sa mbaj axhendë. Jam i rezervuar për 1 muaj dhe në këtë 1 muaj parashikohen punë si shtrim pllakash, elektrike, mbyllje kanalesh, izolime.

Kam klientë stabël, të vjetër, prej 15-20 vjetësh që më marrin në telefon sa herë iu duhen shërbimet e mia si zanatçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA