Rusia pozicionon tanket terminator në Luhansk, gati për sulmin e radhës

22/05/2022 12:55

Kanë kaluar 88 ditë luftë, dhe tani qyteti i Severodonetsk në rajonin lindor të Ukrainës Luhansk tashmë është një nga “prioritetet taktike” të Rusisë, pasi forcat e saj po vendosin tanket e fuqishme terminator në zonë, vlerëson Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti i Ukrainës Zelensky e përshkroi situatën në Donbas si “jashtëzakonisht të vështirë” në fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit.

Guvernatori rajonal i rajonit lindor të Ukrainës Luhansk, Sergiy Gaiday tha se Rusia po përpiqet të shkatërrojë qytetin e Severodonetsk, me luftime që po zhvillohen në periferi të qytetit.

Qyteti tani është në rrezik të rrethimit pasi 12 persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse,

Megjithatë Zelensky, ka përsëritur se lufta e Rusisë në shtetin e tij mund të zgjidhet vetëm përmes diplomacisë. Ai thotë  se Ukraina mund të dalë fitimtare në fushëbetejë, mirëpo lufta mund të ndalet “në tavolinën negociuese”.

“Fitorja do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë e përgjakshme, por përfundimi do të jetë patjetër me diplomaci”, tha ai.

Ndërkohë Rusia nga ana tjetër duket se po shkëput gjithnjë e më shumë lidhjet diplomatike, pasi të shtunën u ka ndaluar 963 amerikanëve hyrjen në vend përfshirë Presidentin Joe Biden, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefin e CIA-s, William Burns.

Moska tha se do të vazhdojë të hakmerret kundër atyre që i quajti veprime armiqësore të Shteteve të Bashkuara.

Ndalimet kryesisht simbolike të udhëtimit janë pjesë e përkeqësimit të vazhdueshëm në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që kur filloi agresioni ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Top Channel