Zelensky: Lufta kundër Rusisë do të jetë “e përgjakshme” por do të mbyllet me diplomaci

21/05/2022 20:22

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy thotë se fitorja në luftën me Rusinë do të vijë përfundimisht përmes një zgjidhjeje diplomatike.

“Fitorja do të jetë e vështirë, do të jetë e përgjakshme dhe në fushën e betejës, por fundi i saj do të vijë përmes diplomacisë. Jam shumë i bindur për këtë,” tha zoti Zelensky në një intervistë të premten vonë. “Ka gjëra që nuk mund t’i çojmë në fund pa u ulur në tryezën e negociatave.”

Udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se vendi i tij po përpiqet të rimarrë luftëtarët që u dorëzuan tek forcat ruse pas javësh luftimesh në fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin port jugor të Mariupolit.

“Gjithçka do të varet nga (përgjegjësitë) që OKB-ja, Kryqi i Kuq dhe Federata Ruse morën përsipër, se ata (luftëtarët) të gjithë do të jenë të sigurt, në bazë të një formati shkëmbimi,” tha ai.

Ai tha se shërbimi i zbulimit i Ukrainës po bën përgatitjet “për dialog dhe shkëmbim”.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu i tha Presidentit Vladimir Putin se si fabrika e çelikut Azovstal edhe Mariupoli janë “çliruar plotësisht”, sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë të premten, raporton VOA.

Ukraina nuk ka konfirmuar nëse Mariupoli është plotësisht nën kontrollin rus.

Në zhvillime të tjera të premten, Rusia intensifikoi sulmin e saj në Ukrainën lindore, duke përdorur artileri, raketahedhës dhe avionë për të goditur rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, duke shkatërruar shtëpi në lagjet e banimit; dhe duke vrarë civilë, sipas zyrtarëve civilë dhe ushtarakë ukrainas.

Top Channel