Kim Kardashian kërkon mbrojtje ndaj burrit që i kërcënon ‘me bombë’ zyrat dhe familjen (fotot)

21/05/2022 17:05

Kim Kardashian ka kërkuar së fundmi urdhër mbrojtjeje ndaj një tjetër burri misterioz që supozohet se e ka kërcënuar “të sulmojë me bombë zyrat e saj dhe t’i vrasë familjen”, që do të bëhej i katërti që tenton diçka të tillë me brunen e famshme të rrjeteve sociale.

Përfaqësues të 42-vjeçares së kudondodhur në internet, thanë se agjentët e sigurisë kanë zbuluar 80 letra kërcënuese nga personi në fjalë, duke përfshirë 30 vetëm muajin e kaluar.

Tashmë Kardashian kërkon një urdhër ndalimi që burri të mos afrohet ndaj saj, shtëpisë apo anëtarëve të familjes, shkruan rrjeti The Blast duke cituar dokumentet gjyqësore.

Modelja e famshme për pjesët e saj trupore thotë se në letrat e burrit ka gjithashtu komente seksuale, teksa zemërimi i tij drejtohet me njëfarë xhelozie ndaj njerëzve me të cilët ajo ka pasur marrëdhënie intime.

Kardashian është ndarë së fundmi me burrin e saj të tretë dhe babanë e fëmijëve Kanye West ndërsa aktualisht shoqërohet me prezantuesin amerikan Pete Davidson.

Edhe qershorin e kaluar ajo arriti të fitojë një urdhër ndalimi për një tjetër përndjekës, i cili besohet se kishte hyrë dy herë në pronën e Kardashian me qëllime të mbrapshta.

Përfaqësuesi i Kardashian tha se në një prej rasteve i dyshuari Nicholas Costanza justifikohej se kishte ardhur “të merrte Kim për të dalë me të”.

Costanza akuzohet gjithashtu se i kishte dërguar gruas tableta kontraceptive dhe një unazë diamanti, sipas dokumenteve të paraqitura nga rrjeti TMZ.

Por tre muaj para se të merrte urdhrin e mbrojtjes ndaj Costanza, ajo kishte përfituar një tjetër urdhër mbrojtjeje ndaj Charles Peter Zelenoff.

Zelenoff, të cilin Kardashian e quan shpesh “përndjekësi” në dokumentet gjyqësore, kishte dy dënime të mëparshme për rrahje.

Kardashian akuzonte se Zelenoff i thoshte se kishte rënë në dashuri me të, dhe se filmonte video jashtë shtëpisë së saj.

FOTO GALERI
1/3
Modelja e famshme për pjesët e saj trupore thotë se në letrat e burrit ka gjithashtu komente seksuale

Top Channel