Moldavia duhet të “pajiset sipas standardeve të NATO-s”, në mënyrë që ta ndihmojmë të mbrohet nga kërcënimi i një pushtimi rus, deklaroi ministrja e jashtme britanike, Liz Truss.

Truss tha për Telegraph se po zhvillohen bisedime me aleatët mbi mënyrat sesi të ndihmohen kombet më të vogla që të mbrohen. Ajo tha se ishte e qartë se, pavarësisht suksesit të kufizuar në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin vazhdon t`i ruajë  “ambiciet për të krijuar një Rusi më të madhe”.

Moldavia, dikur një republikë sovjetike, ndodhet në kufirin jugperëndimor të Ukrainës. Ajo nuk ndan një kufi me Rusinë, por është afër disa prej rajoneve të pushtuara aktualisht nga forcat ruse. Ndërkohë, nuk është anëtare e NATO-s, megjithëse ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian më pak se dy javë pas pushtimit të Ukrainës. Truss u shpreh se diskutimet rreth përmirësimit të mbrojtjes ukrainase për të penguar agresionin e ardhshëm duhet të mbulonin gjithashtu “shtete të tjera të cenueshme si Moldavia”.”Unë do të doja ta shihja Moldavinë të pajisur me standardet e NATO-s,” ishte pohimi i saj, ndërsa shtoi se  “ky është një diskutim që ne po bëjmë me aleatët tanë.”

E pyetur nëse kjo ishte për shkak se Rusia mendohej se përbënte një kërcënim sigurie për Moldavinë, ajo tha: “Absolutisht. Dua të them, Putini ka qenë i qartë për ambiciet e tij për të krijuar një Rusi më të madhe. “Dhe vetëm për shkak se përpjekjet e tij për të marrë Kievin nuk ishin të suksesshme, nuk do të thotë se ai i ka braktisur ato ambicie.”

Komentet e Truss vijnë vetëm disa javë pas një fjalimi të rëndësishëm, në të cilin kryediplomatja britanike theksoi se Perëndimi “duhet të jetë i përgatitur për një konflikt të gjatë dhe duhet të dyfishojë mbështetjen për Ukrainën.

Duke folur në Londër, ajo inisistoi se : “Nëse Putin ia del, do të ketë mjerim të mëtejshëm të pa treguar në të gjithë Evropën dhe pasoja të tmerrshme në të gjithë globin. Ne nuk do të ndiheshim më kurrë të sigurt.” Truss bëri gjithashtu thirrje për një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe tha se objektivi i NATO-s prej 2% të PBB-së duhet të jetë një “dysheme, jo një tavan”.

Top Channel