”Azovstali është i yni”, Rusia shpall fitoren, komandanti largohet me autoblindë!

21/05/2022 13:08

Azovstali, simboli i fundit i qëndresës së qytetit port të Mariupolit, tashmë është krejtësisht në duart e rusëve thotë Moska, që publikoi dhe foto të parakalimit të luftëtarëve të fundit ukrainas të mbetur atje, e tashmë të dorëzuar.

Ushtarët e fundit ukrainas, që gjendeshin të fshehur në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thane se Kievi “i urdhëroi” të ndalonin luftimet.

Për Moskën, marrja e kompleksit, e për rrjedhojë edhe e të gjithë qytetit, shënon një fitore ushtarake simbolike duke qenë se që përgjatë pushtimit tre mujor, nuk kishte mundur të pushtonte asnjë qytet të rëndësishëm të vendit fqinj.

 “Komanda e lartë ushtarake dha urdhrin për të shpëtuar jetën e ushtarëve të garnizonit tonë dhe për të ndaluar mbrojtjen e qytetit”, ka thënë për Telegramin, komandanti i batalionit që drejtonte ushtarët e Azovstal, Denys Prokopenko, i cili thuhet të jetë larguar me autoblindë.

“Civilët u evakuuan. Të plagosurve rëndë u është dhënë ndihma e nevojshme dhe ata janë evakuuar, për t’u shkëmbyer më pas dhe për t’u sjellë në territorin e kontrolluar nga Ukraina”, shtoi Prokopenko.

Ai theksoi “shpreson që në të ardhmen e afërt, të afërmit dhe Ukraina do të jenë në gjendje të varrosin ushtarët e tyre me nder”. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se deri më tani, rreth 2000 luftëtarë ukrainas që ishin fshehur në fabrikën e çelikut, janë dorëzuar.

Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar këtë numër. Ushtarët që u larguan nga Azovstali, përfshirë edhe ata që ishin të plagosur, thuhet se u transferuan në territorin lindor të Ukrainës, i cili është nën kontrollin e seperatistëve që mbështeten nga Rusia. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se qindra luftëtarë ukrainas që u larguan nga fabrika Azovstal në Mariupol, u regjistruan si robër lufte.

Kryqi i Kuq thekson se regjistrimi i luftëtarëve si robër lufte është “i rëndësishëm për të siguruar që për ta të ketë kujdes dhe të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me dinjitet”, si dhe t’i mundësohet organizatës t’i përcjellë të kapurit dhe t’i ndihmojë ata që të mbesin në kontakt me familjet e tyre.

Kievi ka shprehur shpresën se luftëtarët do të shkëmbehen me të burgosur rusë, por autoritetet e mbështetura nga Moska në Donetsk thonë se disa prej tyre mund të gjykohen.

Top Channel