Shtegtimi merr fund, Dinamo kujtohet vonë të rikthehet te “Dinamo”

20/05/2022 20:32

Dinamo rikthehet në shtëpi, në ndeshjen e fundit në Superiore. Kundër Tiranës mbetet në çdo rast një derbi, por e radhës do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”, stadiumi që për dekada është njohur me emrin “Dinamo”.

E vështirë për t’u parashikuar, por nëse drejtuesit e bluve të kryeqytetit do të kishin zgjedhur t’i luanin ndeshjet shtëpiake, në folenë e tyre të vjetër, me shumë mundësi do të kishin shkuar më mirë.

Më së paku, për sa i takon atmosferës, duke qenë se zona e Tiranës së re është e njohur tradicionalisht si një bastion i Dinamos.

Një fakt që nuk u mor në konsideratë nga titullarët e klubit 18 herë kampion, në sezonin e rikthimit në elitë pas 9 vitesh mungesë, duke shtegtuar sa nga një qytet në tjetrin, sa nga njëri stadium në tjetrin.

Janë 20 ndeshjet që Dinamo ka luajtur si shtëpiake në këtë sezon, 17 prej tyre në kampionat, prej të cilave ka grumbulluar më pak pikë se të gjitha rivalet, vetëm 11.

Në 20 ndeshjet si shtëpiake Dinamo ka zgjedhur në 13 prej tyre stadiumin “Elbasan Arena”, për 4 ndeshje “Air Albania”, për 2 ndeshje stadiumin e Kamzës dhe për një ndeshje “Arena Egnatia”.

Ndeshjen numër 21 dhe të fundit për këtë sezon do të rigjejë shtëpinë e vjetër, stadiumin Dinamo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA