Elbasani është përmendur si një nga qytetet ku krimi bën ligji deri aty sa prokurori i përgjithshëm deklaroi në 2020 se këtë qytet e kontrollon mafia. Një deklaratë që shkaktoi pakënaqësinë e zyrtarëve të policisë së asaj kohe.
Por dosja më e fundit e SPAK ku Nuredin Dumani dhe Enrik Hoxhaj deklaruan krime dhe larje hesapesh mes bandash, hedh pikëpyetje ndaj policisë gjatë hetimeve për vrasjen e Emiliano Ramazanit. Për këtë ngjarje një informator i pakontrolluar futi në kurth oficerin Leonard Palushi që ishte shef sektori për hetimin e vrasjeve. Informatori i tha policit se arma e krimit ishte në servisin e familjes Manhasa duke sjellë me pas arrestimin e Seit Manhasës dhe të të birit që qëndruan me burg pa të drejtë për gjatë muaj.
Oficeri aktualisht nën prangat e SPAKkëmbëngul se ndoqi protokollin dhe njoftoi eprorët përfshi drejtues të lartë që nuk duhet të ishin ngutur por të orientimin hetimin për të bashkangjitur prova shtesë ku përpos armës duhet të kryheshin përgjime ndaj familjes Manhasa dhe të gjendej nëse kishin apo jo motive për krimin. Kjo gjë nuk ndodhi dhe arrestimi i ngutur i dy të pafajshmëve bën me faj policinë.
Rasti i oficerit Leonard Palushi është më i rëndi ku faktohet implikimi i policisë në krim. Por nuk është i vetmi. Top Channel ka mësuar se para disa muajsh një oficer krimesh i cili ka punuar në Elbasan, Krenar Guçe, ka denoncuar kërcënimin me jetë për shkak të detyrës nga një grup kriminal.
Përgjatë 2-3 viteve të fundit, policia ka ndërmarrë shpesh herë operacione me FNSH e RENEApër arrestimin e krerëve të grupeve kriminale por gjithmonë ka dalë duarbosh ose në rastin më të keq i janë përgjigjur me plumba siç ishte rasti i qershorit të vitit 2016 në banesën e Çapjave në Krastë të Elbasanit. Operacionet dështonin pavarësisht se referuar dosjes së SPAK me dëshminë e Nuredin Dumanit e Enrik Hoxhajt të shumëkërkuarit lëviznin lirshëm në Shqipëri e Kosovë dhe në lokale e restorante merrnin porosi për vrasje me pagesë.
Arrestimi nga Policia e Elbasanit i Nuredin Dumanit ishte fillimi I një operacioni me 32 urdhër arreste në finalizim të të cilit emrat më të njohur të botës së krimit si Talo Çela, Ervis Martini e Suel Çela nuk u vunë në pranga. Dyshimet për dekonspirim e tejkalojnë policinë lokale e cila tani ka sfidën të rivendosë zbatimin e ligjit në Elbasan.
Top Channel