BE-së i “soset durimi”, Michel: Serbia t`i vendosë sanksione Rusisë!

20/05/2022 10:34

Brukseli po e shton presionin mbi Serbinë për një pozicionim më të qartë lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Kjo luftë ka tronditur mbarë kontinentin europian, i ka dhënë fund paqes në Europë dhe po ndodh në një kohë kur të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin, tha presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pas takimit me presidentin serb,  Aleksandar Vuçic  Michel e theksoi se integrimi europian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe konfirmoi “zotimin e plotë” të BE-së në negociatat e anëtarësimit.

Ne duhet ta përshpejtojmë integrimin në BE; procesi i zgjerimit të bllokut me Ballkanin Perëndimor duhet të jetë më efikas dhe dinamik dhe zgjidhja mund të qëndrojë në integrimin gradual dhe progresiv, gjatë procesit të anëtarësimit. Shtetet kandidate duhet të ndiejnë “përfitimet” nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Presidenti Michel shprehu në mënyrë shumë të fortë dëshirën dhe pritjet që Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. E informova atë për qëndrimet tona”, tha nga ana e tij Vucic. Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë insistuar se Serbia nuk mbështet vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pasi thonë se kështu po mbrojnë interesat vitale të shtetit. Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Top Channel