Ushtarët e fundit ukrainas, që gjenden të fshehur në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thonë se Kievi “i urdhëroi” ata të ndalonin luftimet, ndërkaq Rusia po intensifikon sulmin në Ukrainën lindore, duke synuar Donbasin, për të cilin Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se tani duket si “ferr”.
“Komanda e lartë ushtarake dha urdhrin për të shpëtuar jetën e ushtarëve të garnizonit tonë dhe për të ndaluar mbrojtjen e qytetit”, ka thënë për Telegramin, komandanti i batalionit që drejtonte ushtarët e Azovstal, Denys Prokopenko.
“Civilët u evakuuan. Të plagosurve rëndë u është dhënë ndihma e nevojshme dhe ata janë evakuuar, për t’u shkëmbyer më pas dhe për t’u sjellë në territorin e kontrolluar nga Ukraina”, shtoi Prokopenko.
Ai theksoi se procesi i transferimit të të vdekurve nga Azovstal është ende në vazhdim dhe se ai “shpreson që në të ardhmen e afërt, të afërmit dhe Ukraina do të jenë në gjendje të varrosin ushtarët e tyre me nder”.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se deri më tani, rreth 2000 luftëtarë ukrainas që ishin fshehur në fabrikën e çelikut, janë dorëzuar.
“Bllokada e fabrikës Azovstal vazhdon”, tha Shoigu. Nacionalistët po dorëzohen në mënyrë aktive në robërim”, tha ai, duke iu referuar luftëtarëve ukrainas. “Në këtë moment, 1908 persona kanë dorëzuar armët”.
Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar këtë numër.
Ushtarët që u larguan nga Azovstali, përfshirë edhe ata që ishin të plagosur, thuhet se u transferuan në territorin lindor të Ukrainës, i cili është nën kontrollin e seperatistëve që mbështeten nga Rusia.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se qindra luftëtarë ukrainas që u larguan nga fabrika Azovstal në Mariupol, u regjistruan si robër lufte.
Kryqi i Kuq thekson se regjistrimi i luftëtarëve si robër lufte është “i rëndësishëm për të siguruar që për ta të kihet kujdes dhe të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me dinjitet”, si dhe t’i mundësohet organizatës t’i përcjellë të kapurit dhe t’i ndihmojë ata që të mbesin në kontakt me familjet e tyre.
Kievi ka shprehur shpresën se luftëtarët do të shkëmbehen me të burgosur rusë, por autoritetet e mbështetura nga Moska në Donetsk kanë sugjeruar që disa prej tyre mund të gjykohen.
Zyrtarët lokalë ushtarakë në Ukrainën juglindore thanë se rreth 1000 automjete me civilë ukrainas u penguan të kalonin në territorin e Zaporozhye, i cili është nën kontrollin e Ukrainës.
Administrata ushtarake rajonale njoftoi më 20 maj se automjetet plot me njerëz, të cilët u përpoqën që të evakuoheshin, ishin bllokuar në një pikë kontrolli rus në qytetin Vasilivka.
Sipas autoriteteve lokale në Luhansk, të paktën 13 civilë janë vrarë gjatë një bombardim rus, në 24 orët e fundit.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Ukrainës tha se deri më 20 maj, 232 fëmijë ishin vrarë dhe 427 ishin plagosur që nga fillimi i pushtimit rus.
Në një fjalim të rregullt drejtuar kombit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte “shkatërruar plotësisht” rajonin lindor ukrainas, Donbas.
“Atje është ferri dhe kjo nuk është një ekzagjerim”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës, duke përsëritur akuzën e tij se Rusia po kryen gjenocid, pretendim të cilin Moska e ka hedhur poshtë.
Shoigu tha më 20 maj se “çlirimi i Republikës Popullore të Luhanskut”, një territor në Ukrainë që Rusia e ka njohur si të pavarur dhe të kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Moska, do të përfundojë së shpejti.
Top Channel