Tottenham është aktualisht në vendin e katërt të Premier League, një pozicion që i garanton Spurs-ave kualifikimin për në Champions League sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, detyra për të besuarit e trajnerit Antonio Conte ende nuk mund të quhet e mbyllur pasi është për t’u luajtur edhe ndeshja e fundit e kampionatit ajo në transfertë ndaj Norwich që tashmë ka rënë nga Premier League dhe nga sezoni i ardhshëm rikthehet në Championship.
Mirëpo, pavarësisht kundërshtarit të pamotivuar, te Tottenham kanë rënë “këmbanat e alarmit” duke qenë se Harry Kane pritet të mungojë me klubin që ka bërë të ditur se sulmuesi kryesor nuk ka një dëmtim, por nuk ndihet mirë nga ana shëndetësore. Ndërkaq, Gary Lineker me anë të një reagimi në Twitter bëri të ditur se në skuadrën e Tottenham kanë pasur problem me helmimin nga ushqimi dhe disa lojtarë janë në dyshim për 90-minutat e fundit të kampionatit.
Gjithsesi, klubi bëri të ditur se diçka e tillë nuk është e vërtetë, ndërsa tifozët e Tottenham tashmë janë të shqetësuar pasi e kanë përjetuar një situatë të tillë edhe në të kaluarën. Bëhet fjalë për vitin 2006, kur po ashtu luhej java e fundit e Premier League dhe si aktualisht, Tottenham e Arsenal ishin në garë për vendin e katërt. Në atë kohë, lojtarët e Tottenham u helmuan nga ushqimi në darkën para ndeshjes me West Ham dhe të nesërmen klubi kërkoi që sfida të shtyhej.
Mirëpo, Federata nuk toleroi dhe Tottenham zbriti në fushë me mungesa të shumta ndërsa e humbi ndeshjen me rezultatin 2-1. Nga ana tjetër, Arsenal fitoi 4-2 ndaj Wigan dhe i rrëmbeu “gjelave” vendin e katërt në javën e fundit. Totteham kërkoi hetim duke dyshuar në një helmim të qëllimshëm, megjithatë në fund rezultoi se ishte vetëm faji i hotelit.
Thonë se historia gjithnjë përsëritet, megjithatë te Tottenham po “kryqëzojnë” gishtat që këtë herë të ketë një fund të lumtur për ta, pasi i gjithë sezoni do të shkonte dëm nëse nuk do të mbyllej në vendin e katërt.
Top Channel