Në Shën Vasil të Himarës jetojnë afërsisht 30 familje të përhershme të cilat merren kryesisht me bujqësi. Banorët  ankohen se nuk kanë ujë për të ujitur tokat e tyre dhe shkak për këtë gjë është një kontratë që ka lidhur shteti me e H/C e Bunecit. 

Sipas kësaj kontrate që nga 1 Maj deri në 1 Tetor  fshati Shën Vasil dhe Piqerasi duhet të furnizoheshin me 800 litra ujë në sekondë. Nëse ky furnizim nuk bëhej atëherë H/C duhet të mbyllet.

“E kemi problemi ujin sepse ka katër vjet që nuk na vjen ujë. Në Bashki vijnë fonde dhe punë nuk bëhet. Kanali ka katër vjet që është pa u pastruar “ pohojnë banorët.

Ujin që vjen nga Sasajt kalon poshtë fshatit nëpër tunel nëntokësor dhe ujiste dhe toka të tjera përtej Shën Vasilit.

“Me atë ujë vaditen jo vetëm tokat tona por dhe të Delvinës dhe shkonte deri në Qafë të Gjashtës.  Ne jemi fshati gomarëve. Ne kemi 20 gomerë por sot nuk kanë dal këtu te sheshi. Ne nuk kemi një rrugë të vemi në bahçet tona. Shteti nuk e merr përsipër, Bashkia nuk e merr përsipër.  Atëherë kush do e marrë përsipër”, thonë banorët.

Madje banorët shkojnë edhe me tej ku njëri prej tyre ka mbajtur shënim datat kur kanë pasur ujë që nga viti 2019.

“Unë kam mbajtur datat se kur ka ardhur uji çdo vit. 2019 – në 25 korrik, në 2020- në 20 qershor, në 2021- në 27 qershor. Këtë vit e lanë fare“.

Në vendin e quajtur “Zhupdena” në Shën Vasil, një zonjë e cila mundohej të punonte në mes të vapës në një parcelë, ku kishte mbjellë disa perime dhe pemë në një sipërfaqe  prej 2 dylym tregon për Fiksin se shkojnë larg me gomerë e me të munden të mbushin ujë për të ujitur bimët e këto peripeci i heqin të gjithë banorët e Shën Vasilit.

Fiks Fare iu drejtua Bashkisë Himarë për të pyetur në lidhje me problemin që ngrenë banorët. Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Tokës dhe Kullotave i Bashkia Himarë, Z.Ilia Gjika shpjegon se ky është një problem i mbartur .

“Ne kemi një arterie të vdekur, të cilin po e mbajmë  me mballoma, me copa me të qepura. Sepse ky kanal është i gjatë 15 km. Të paktën kaq ka mbetur se nga Shën Vasili në Volloder, në vreshtat e Volloderit afër Sarandës që ka qenë më parë dhe është dëmtuar në mënyrë absolute në të gjithë gjatësinë e tij. Deri në  Shën Vasil, aty ku është tuneli, ne nuk jemi futur në tunel, (tunel i ndërtuar para viteve 1990) jemi  mundur ta mirëmbajmë me shpirt ndër dhëmbë.  Dhe kemi çuar ujë deri në afërsi të tunelit. Vjet kemi çuar ujë, e sivjet kemi problem për pastrimin e tij”.

Drejtori  pohon se është një tender aktualisht që është hapur për pastrimin e tij, por që ende nuk është shpallur fituesi. Por ai shton se aktualisht puna për pastrimin po bëhet edhe nga punonjësit e bashkisë ku fillimisht kanë filluar me Lukovën, por vendimtare në pastrimin e plotë i mbetet firmës fituese të tenderit.

I pyetur se pse ende nuk është shpallur firma fituese , drejtori pohon se nuk ka informacion për këtë gjë dhe nuk mund të përgjigjet, por fondi që duhet për këto kanale vaditëse duhet të jetë i madh shprehet ai pasi gjendja e tyre është tejet e keqe.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel