Presidenti amerikan Joe Biden ka nisur një ofensivë diplomatike në Azi me një mision të qartë: rrugetimi i tij 6 ditor në Korenë e Jugut dhe Japoni synon forcimin e marrëdhënieve me liderët e vendeve aziatike, por në një njëjtën kohë i dërgon dhe një mesazh Kinës se duhet të nxjerrë mësime nga  zbrapsja e sulmit rus në Ukrainë dhe ta shohë me një sy tjetër mundësinë e goditjeve në Paqësor.

Në krye të axhendës së shefit të Shtëpisë së Bardhë janë takimet me  presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida. Bisedimet e tyre do të prekin tregtinë, zinxhirin global të furnizimit dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Presidenti Biden do të takohet gjithashtu me udhëheqësit e aleancës së njohur si Quad, e cila përfshin Japoninë, Australinë dhe Indinë. SHBA nën drejtimin e administrates Biden kanë krijuar një front të bashkuar me aleatët demokratë që ka kombinuar fuqinë e tyre ekonomike për ta bërë Rusinë të paguajë një çmim për sulmin e saj në Ukrainë. Kjo aleancë përfshin Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Presidenti amerikan është megjithatë i vetëdijshëm se këto marrëdhënie duhet të thellohen nëse duhet të shërbejnë si kundërpeshë ndaj ambicieve të Kinës, që po bëhet gjithmonë e me kërcenuese ndaj Tajvanit. Lufta në Europën Lindore ka krijuar një ndjenjë urgjence rreth Kinës mes aleatëve kryesorë të SHBA-së në Paqësor. Shumë prej tyre e kanë parë këtë moment si krizën e tyre ekzistenciale – një krizë në të cilën është kritike t’i tregohet Kinës se nuk duhet të përpiqet të pushtojë territoret e kontestuara përmes veprimeve ushtarake.

Top Channel