Presidenti Biden, bisedime me udhëheqësit e Finlandës dhe Suedisë rreth anëtarësimit në NATO

19/05/2022 16:18

Presidenti amerikan Joe Biden po takohet në këto momente në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Finlandës Sauli Niinisto dhe Kryeministren suedeze Magdalena Andersson, për bisedime rreth kërkesës së vendeve të tyre për anëtarësim në NATO, mbështetjes për Ukrainën dhe sigurinë evropiane.

Të mërkurën zoti Biden vlerësoi atë që e quajti vendim të rëndësishëm të Suedisë dhe Finlandës, pasi ato dorëzuan kërkesën zyrtare për anëtarësim në aleancën ushtarake, një lëvizje, që vjen si përgjigje pas shqetësimeve të krijuara nga sulmi rus kundër Ukrainës.

“Unë i mirëpres dhe mbështes fuqishëm kërkesat historike të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO dhe pres që në bashkëpunim me Kongresin amerikan dhe aleatët e NATO-s, ta bëjmë Finlandën dhe Suedinë pjesë të aleancës më të fortë mbrojtëse në histori”, tha zoti Biden.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin i tha homologut të tij suedez, Peter Hultqvist se “presim me padurim kontributet tuaja në aleancën e NATO-s”.

Zoti Hultqvist tha se Suedia po ushtron të drejtën për të zgjedhur mbi sigurinë e saj.

“Kjo është koha kur demokracitë e Evropës dhe Amerikës Veriore duhet të jenë të bashkuara kundër agresionit të qartë rus”, tha ai.

Njoftimin rreth kërkesës zyrtare të Finlandës dhe Suedisë e dha të mërkurën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët me ambasadorët e këtyre vendeve në Bruksel.

“Kjo është një ditë e mirë në një moment jetik për sigurinë tone”, tha zoti Stoltenberg. “Të gjithë aleatët pajtohen mbi rëndësinë e zgjerimit të NATO-s. Të gjithë jemi dakord që duhet të jemi të bashkuar dhe se ky është një moment historik që duhet ta shfrytëzojmë”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se zoti Austin dhe homologu i tij suedez Hultqvist diskutuan për periudhën kur aleantët e NATO-s do të shqyrtojnë anëtarësimin e këtyre vendeve nordike në aleancë e deri tek finalizimi i procesit të anëtarësimit.

Zyrtari tha se Sekretari Austin e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me ushtrinë suedeze dhe se janë të gatshme të diskutojnë rreth sigurisë dhe nevojave të tjera për të mbrojtur atë dhe për të penguar Rusinë, nëse kjo është e nevojshme.

Të mërkurën, shumica dërrmuese e parlamentit të Finlandës votoi në favor të anëtarësimit në NATO me 188 vota pro dhe 8 kundër.

Kërkesat e Finlandës dhe Suedisë shënojnë një ndryshim të madh të statusit neutral të dy vendeve nordike prej dekadash, që nga Lufta e Ftohtë. Vendimi i Moskës për të sulmuar Ukrainën fqinje më 24 shkurt ngjalli frikë tek të dyja vendet, veçanërisht në Filandë, e cila ndan me Rusinë një kufi të gjatë prej më shumë se 1 mijë e 300 kilometrash.

Të 30 vendet anëtare të NATO-s pritet të shqyrtojnë kërkesat e Finlandës dhe Suedisë në një proces të përjeshtuar, ndryshe nga procedura e rregullt që zakonisht merr deri në një vit.

Vetëm Turqia ka shprehur rezerva rreth anëtarësimit të vendeve nordike. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i akuzon këto vende se u kanë dhënë strehë “terroristëve” dhe se kanë vënë sanksione ndaj Turqisë.

Anëtarësimi në NATO kërkon miratimin konsensual të të gjithë anëtarëve.

Suedia dhe Finlanda janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjet nëse NATO shton praninë e saj ushtarake në Finlandë dhe Suedi, menjëherë pasi dy vendet nordike deklaruan të dielën se duan t’i bashkohen aleancës së dominuar nga SHBA./ VOA

Top Channel