PD: Leka Zogu President/ Grupi i Alibeajt nxjerr emrat e parë: Zhiti, Uka, Çejku, Demiraj, Kosova e Shehi

19/05/2022 19:37

Deputetët mbështetës të Enkeled Alibeajt kanë propozuar 8 kandidatë për president, ku më i spikaturi është trashëgimtari i familjes mbretërore Leka Zogu.

Lista me kandidatët e Presidentit të ri të propozuar nga grupi i Partisë Demokratike nuk kishte asnjë grua, por 23 deputetët mbështetës të Enkeled Alibeajt përgjatë 3 orëve mbledhje në selinë blu propozojnë për President diplomatë, ushtarakë, shkrimtarë, mjekë si dhe princin Leka.

Kur zyrtari i lartë amerikan Philip Riker takoi Leka Zogun disa muaj më parë, lindën dyshimet se ai do të ishte kandidat për President si një nga emrat e dëshiruar nga amerikanët. Dhe sot Partia Demokratike, Leka Zogun, i cili sapo ka mbushur 40 vjeç, e propozon për President. Ky emër u propozua në mbledhjen e demokratëve nga deputetja Dhurata Cupi.

Mirëpo dy kandidaturat e para preferenciale për në krye të shtetit u shfaqën emrat e ish-ambasadorit në Maqedoninë e Veriut Arben Cejku dhe ish-ambasadorit në NATO, Leonard Demi, pasuar nga emri i ish-ushtarakut Dritan Demirajt. Ish-ministri i Bujqësisë e njëkohësisht ish-zv/kryeministri Rexhep Uka si dhe mjeku Halim Kosova ishin dy emra të tjerë për president të shprehura nga Xhelal Mziu. Shkrimtari Visar Zhiti është një tjetër emër i PD që propozohet me idenë se mund të jetë presidenti i të gjithëve.

Nga ana tjetër, Kreshnik Collaku emrin e Presidentit e sheh te opozita duke propozuar deputetin Dashamir Shehi. Këta 8 shqiptarë me të shkuar politike, ushtarake apo artistike deri të hënën në orën 18:00 mund të besojnë se do të jenë zëvendësues të Ilir Metës. Por cila do të jetë kandidatura përfundimtare? Emrat e shpallura sot në mbledhjen e PD do të diskutohen sërish me aleatët dhe ftesa qëndron e hapur edhe për grupin e rithemelimit të cilët nuk ishin të pranishëm gjatë diskutimit pasi e shohin procesin farsë.

Pasi raundi i parë për presidentin dështoi, demokratët me socialistët arritën dakordësinë që në raundin e dytë dhe të tretë do të jetë opozita e para që propozon kandidatët dhe më pas mazhoranca. Por a do të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit me njëri tjetrin?

Ne nuk e kemi me ngut. Do diskutohen kandidaturat. 4 emra duhet të përzgjidhen nga Partia Demokratike dhe Fatmir Mediu e Mesila Doda, më pas prej këtyre 4 kandidaturave Partia Socialiste do të zgjedh dy emra. Në fund një grup i përbashkët me 6 anëtarë do të diskutojnë për të dalë me 1 kandidat”, thotë Alibeaj.

Në këtë mbledhje zëri ndryshe ishte Gazment Bardhi, i cili në fillim kërkoi një konsensus mes të gjithëve në PD dhe pastaj të propozoheshin emrat.

Top Channel