Opozita propozon emrat në raundin II dhe III/ Mediu: Keni llogaritur që do shkoni te raundi IV! Bushka: Propozoni emrat të caktojmë President të denjë

19/05/2022 22:02

Opozita e konsideron një farsë ftesën që i bëri mazhoranca për të propozuar emra për Presidentin e ri në raundin e dytë dhe të tretë të procesit.

Sipas Fatmir Mediut, negociator i opozitës, mazhoranca e ka llogaritur që do të shkojmë te raundi i katërt i procesit për zgjedhjet e Presidentit, ndërkohë që kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klodilta Bushka e mohon këtë pretendim të deputetit.

Bushka: E kemi bërë ne ftesën për bashkëpunim, kjo është për t’u vlerësuar, pavarësisht opinioneve të ndryshme.

Mediu: Po ç’kuptim ka nëse mazhoranca propozon në raundin e katërt dhe të pestë, ne kemi të drejtën për të propozuar në raundin e dytë dhe të tretë. Pra, ju e keni llogaritur që do të shkojmë në raundin e katërt.

Bushka: Jo, nuk është e vërtetë. Ajo që duhet marrë në konsideratë është fakti që jemi në një situatë që duhet ta marrim . Si t’u japim shqiptarëve një figurë të merituar. Po ju them na propozoni emra.

Deputetët mbështetës të Enkeled Alibeajt propozuan këtë të enjte 8 kandidatë për President, ku më i spikaturi është trashëgimtari i familjes mbretërore Leka Zogu.

Lista me kandidatët e Presidentit të ri të propozuar nga grupi i Partisë Demokratike nuk kishte asnjë grua, por 23 deputetët mbështetës të Enkeled Alibeajt përgjatë 3 orëve mbledhje në selinë blu propozojnë për President diplomatë, ushtarakë, shkrimtarë, mjekë si dhe princin Leka.

Pasi raundi i parë për Presidentin dështoi, demokratët me socialistët arritën dakordësinë që në raundin e dytë dhe të tretë do të jetë opozita e para që propozon kandidatët dhe më pas mazhoranca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA