Operacioni i SPAK/ Reagon Bledi Çuçi: Asnjë kompromis me krimin dhe ata që bëhen palë me të

19/05/2022 14:00

Ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me operacionin e SPAK ditën e sotme, të cilin e ka përgëzuar për punën e bërë.

Ai u shpreh se nuk duhet bërë asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe me punonjësit që nuk kryejnë detyrën.

“8 grupe kriminale të goditura në disa qarqe të vendit dhe 18 të arrestuar. Përgëzime Policisë së Shtetit dhe SPAK për punën hetimore dhe operacionale, e cila vijon për ekzekutimin e plotë të 32 masave të sigurisë “arrest me burg”. Asnjë kompromis me krimin e organizuar, asnjë kompromis as me punonjësit e policisë që nuk kryejnë detyrën në luftën e vazhdueshme me krimin apo në rastin më të keq bëhen palë me të. Do t’i presim rrugën së keqes kudo ajo shfaqet e në çdo kohë, për një Shqipëri më të sigurt e ku së bashku ndërtojmë të ardhmen tonë.”

Prokuroria e Posaçme, SPAK ndërmori aksion në disa qytete të vendit, pas 32 urdhër-arresteve të lëshuara nga GJKKO.

Aksioni është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan. Sipas informacioneve, 13 urdhër-arreste janë vetëm në Elbasan, një prej qyteteve më të nxehta të krimit në vend.

Janë në kërkim personazhe të njohur të botës së krimit si Ervis Martinaj në Lezhë, Suel Çela dhe Kamber Mehja në Elbasan, apo  Fatos Gosa në Peqin. Disa prej personave në listën e SPAK tashmë janë në burg.

Top Channel