Biden synon t’i dërgojë një mesazh Kinës ndërsa viziton Korenë e Jugut, Japoninë

19/05/2022 20:35

Presidenti Joe Biden u nis për në Korenë e Jugut dhe Japoni në një udhëtim gjashtë-ditor që synon ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me udhëheqësit e vendeve aziatike.

Presidenti Biden do të përpiqet t’i dërgojë një mesazh Kinës se sulmi i zbrapsur i Rusisë në Ukrainë duhet t’i japë Pekinit një perspektivë të re në lidhje me mundësinë e goditjeve të tij në Paqësor. Presidenti Biden u nis të enjten dhe do të takohet me presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida. Bisedimet e tyre do të prekin tregtinë, zinxhirin global të furnizimit dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut. Presidenti Biden do të takohet gjithashtu me udhëheqësit e aleancës së njohur si Quad, e cila përfshin Japoninë, Australinë dhe Indinë.

SHBA nën drejtimin e administratës Biden kanë krijuar një front të bashkuar me aleatët demokratë që ka kombinuar fuqinë e tyre ekonomike për ta bërë Rusinë të paguajë një çmim për sulmin e saj në Ukrainë. Kjo aleancë përfshin Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Por edhe pse presidenti Biden do të pritet nga presidenti Yoon në një darkë shtetërore dhe do të zhvillojë biseda intime me kryeministrin Kishida, presidenti amerikan është i vetëdijshëm se këto marrëdhënie duhet të thellohen nëse duhet të shërbejnë si kundërpeshë ndaj ambicieve të Kinës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se udhëtimi do të “tregojë se Shtetet e Bashkuara mundën të udhëheqin menjëherë botën e lirë në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe në të njëjtën kohë do të përcaktojnë një kurs për udhëheqje efektive, parimore dhe angazhim amerikan në rajon për shekullin e 21-të”.

Lufta në Evropën Lindore ka krijuar një ndjenjë urgjence rreth Kinës mes aleatëve kryesorë të SHBA-së në Paqësor. Shumë prej tyre e kanë parë këtë moment si krizën e tyre ekzistenciale – një krizë në të cilën është kritike t’i tregohet Kinës se nuk duhet të përpiqet të pushtojë territoret e kontestuara përmes veprimeve ushtarake.

Një pasqyrim i asaj se si presidenti Biden është përpjekur të balancojë çështjet e sigurisë në çdo hemisferë, ishte fakti se pak para nisjes për në Azi, ai priti kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës në Shtëpinë e Bardhë për të treguar mbështetjen për kërkesat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO.

“Aleancat e Amerikës në Evropë dhe në Azi na mbajnë ne – dhe do të argumentoja botën – të fortë dhe të sigurt,” tha presidenti Biden në Kopshtin e Trëndafilave. “Ato janë mënyra se si ne përballemi me sfidat e kohës sonë dhe ofrojmë për njerëzit tanë mundësitë për një të nesërme më të mirë.”

Udhëtimi jashtë shtetit i presidentit Bidenit vjen ndërsa ai përballet me sfida të forta të brendshme: një mungesë formule qumështi për foshnjet, inflacion që shkatërron buxhetin, një numër në rritje të infeksioneve COVID 19 dhe padurim në rritje midis një baze demokrate që përgatitet për një vendim të Gjykatës së Lartë që ka të ngjarë të rezultojë në një përmbysje të së drejtës të abortit./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA