Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur të martën në Uashington nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

Zyrtari amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-së mbi dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura.

Kryeministri Kurti e falënderoi Sullivanin për kontributin dhe mbështetjen për Kosovën dhe theksoi se qeveria e tij është e vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara,

Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi pushtimin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.

Duke biseduar për aspektin e sigurisë, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për refugjatët afganë dhe për strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA