Erdogan: NATO duhet të kuptojë, respektojë dhe mbështesë ndjeshmërinë e sigurisë së Turqisë

18/05/2022 17:39

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u tha anëtarëve të parlamentit të partisë së tij në Ankara se ai pret që vendet anëtare të NATO-s të kuptojnë çështjet e sigurisë së Turqisë lidhur me ofertat e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën.

“Ne presim që aleatët tanë të kuptojnë, respektojnë dhe mbështesin ndjeshmërinë tonë. Ne kemi një ndjeshmëri për të mbrojtur kufijtë tanë kundër terrorizmit. Asnjë nga aleatët tanë nuk tregoi respekt ndaj kësaj ndjeshmërie siç prisnim”, tha ai.

Erdogan tha javën e kaluar se ai nuk i sheh “pozitivisht” aplikimet e Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe nuk do ta mbështeste nëse sanksionojnë Turqinë.

“Zgjerimi i NATO-s ka kuptim për ne vetëm në masën që respektohen ndjeshmëritë tona. Të kërkosh prej nesh mbështetje për anëtarësimin në NATO, ndërkohë që ofroni çdo lloj mbështetje për organizatën terroriste PKK/YPG, për të mos thënë më së paku është inkoherencë”, shtoi Erdogan.
Erdogan akuzoi të dy vendet se strehojnë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, militante separatiste, dhe mbështetës të klerikut me bazë në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon si organizator të një përpjekjeje për grusht shteti të vitit 2016, të cilën Guleni e mohon. PKK është cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Erdogan tha gjithashtu se Suedia nuk ka ekstraduar 30 persona të cilët Turqia i sheh të lidhur me terrorizmin.

“Ju nuk do të na dorëzoni terroristët, por do të kërkoni që t’ju mbështesim për t’u anëtarësuar në NATO. Nuk mund të themi ‘po’ që kjo organizatë e sigurisë të privohet nga siguria,” tha ai.

Top Channel