Blinken njofton 215 milionë dollarë ndihmë të re urgjente ushqimore për Ukrainën

18/05/2022 22:37

Sekretari amerikan i Shtetit, Tony Blinken njoftoi se SHBA-ja do të japë 215 milionë dollarë shtesë në ndihmë të re urgjente ushqimore për krizën në Ukrainë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndihmojnë në krizën globale të ushqimit për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

“Sot, duke pasur parasysh urgjencën e krizës, ne po shpallim 215 milionë dollarë të tjera ndihmë të re urgjente ushqimore dhe do të bëjmë shumë më tepër. Ne presim që Kongresi ynë shumë shpejt të miratojë rreth 5.5 miliardë dollarë fonde shtesë për ndihmën humanitare dhe sigurinë ushqimore”, tha Blinken në Kombet e Bashkuara, këtë të mërkurën gjatë një takimi mbi sigurinë globale të ushqimit.

Blinken u shpreh gjithashtu se SHBA-ja do të angazhojë 500 milionë dollarë për të rritur prodhimin e plehrave në SHBA. Kjo vjen pasi ka një nevojë të shtuar për pleh në vendet që e merrnin atë nga Rusia, e cila është eksportuesi më i madh në botë i plehrave.

Kostoja e plehrave, e cila është  thelbësore për fermerët për të rritur prodhimin është rritur, pasi prodhimi në Evropë është ulur nga rritja e çmimit të gazit natyror, një përbërës kyç në plehrat me bazë azoti si urea.

Blinken u bëri thirrje vendeve të tjera që kanë plehra dhe drithëra, të cilat gjithashtu po përballen me mungesa globale për shkak të Luftës së Ukrainës, që të ndihmojnë me shpejtësi me këtë krizë në rritje.

“Kostoja e të bërit biznes për organizatat vitale si Programi Botëror i Ushqimit, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, UNICEF-i dhe të tjerët, kostoja e të bërit biznes po rritet. Ne duhet t’i ndihmojmë ata të vazhdojnë të bëjnë biznesin e tyre. Në veçanti, vendet me rezerva të konsiderueshme të drithërave dhe plehrave, si dhe ato me burime financiare duhet të rriten dhe ta bëjnë atë shpejt. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar më shumë se 2.3 miliardë dollarë fonde të reja për ndihmë urgjente ushqimore për të përmbushur nevojat globale humanitare që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia”,tha Blinken, sipas CNN.

Top Channel