Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë se punëtorë të teknologjisë informative nga Koreja e Veriut po përpiqen të sigurojnë punë në distancë, duke fshehur ndërkohë identitetin e tyre të vërtetë.

Arsyeja, sipas BBC-së që citon zyrtarë amerikanë, është se kërkojnë të vjedhin para për Penianin. Shumë prej tyre hiqen sikur janë nga zona të tjera të Azisë, pohojnë tre agjenci qeveritare amerikane. Dyshohet se përmes përpjekjeve të tilla do të ndihmohet financimi i programeve të armëve në Korenë e Veriut, të cilat shkelin sanksionet ndërkombëtare. Ky shtet ka kryer disa testime të raketave në muajt e fundit. Në muajin mars, Koreja e Veriut testoi një raketë të ndaluar balistike, për herë të parë prej vitit 2017.

“Koreja e Veriut dërgon mijëra punëtorë të kualifikuar të teknologjisë informative nëpër botë, për të gjeneruar të hyra që kontribuojnë në armët e saj të shkatërrimit në masë dhe programet e raketave balistike, në kundërshtim me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara”, theksojne Departamenti amerikan i Shtetit, Departamenti amerikan i Thesarit dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI), në një deklaratë të përbashkët. Sipas deklaratës, punëtorët janë në Korenë e Veriut, dhe shtete tjera, përfshirë Kinën dhe Rusinë. Një numër më i vogël gjenden në Afrikë dhe Azinë juglindore. Në deklaratë është thënë edhe se kompani të kësaj fushe që punësojnë koreano-veriorë mund të përballen me ndëshkime për shkelje të sanksioneve.

Top Channel