Në intervistën për “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, ambasadori ynë në OKB, Ferit Hoxha, rrëfen momentin se si e morën vesh nisjen e agresionit rus në Ukrainë.

Hoxha tregon ndër të tjera, se pavarësisht qëndrimeve të shprehura hapur ndaj Rusisë për këtë çështje, me delegacionin rus ruan marrëdhënie korrekte, pasi sic u shpreh ai qëndrimet e shteteve nuk konsiderohen si qëndrime personale, në OKB.

Nuk më ka ndodhur ndonjëherë që jam shkëmbyer në korridor dhe nuk më ka thënë ‘Mirëdita’ apo ‘Mirëmëngjes’, nuk e kemi injoruar njëri-tjetrin. Ato që kemi për të thënë i kemi thënë në takime të hapura e të mbyllura. Ka një rregull të artë në këtë sallë por edhe jashtë kësaj salle. Qëndrimet e vendeve nuk janë qëndrime personale dhe nuk merren si qëndrime personale. Kordialiteti, shpeshtësia e takimeve varet nga shumë faktorë, por diplomatët janë të regjur për të mos ngatërruar pozicioni personal me qëndrimin e shtetit apo vendit të tyre. Ne jemi 15 vende, ka pak rëndësi e duam apo nuk e duam njëri-tjetrin, ne jemi mandatuar për të punuar bashkë. Nëse nuk punojmë bashkë, shkaktojmë pasoja te të tjerët dhe emocionet tona, zgjedhjet tona nuk mund të ndikojnë në atë që është detyra jonë parësore.” u shpreh Hoxha, i cili ndër të tjera rrëfeu edhe momentet e përjetuara në OKB, qofshin këto dramatike, apo komike.

Duke qenë përballë kamerave aktorë të ndryshëm i flasin ndonjëherë jo thjesht këshillit por edhe audiencave kombëtare. Gjithmonë ka momente dramatike. Elementi më dramatik ka qenë më 23 shkurt në New York. Ne bashkë me ekipin e SHBA ishin përgatitur për disa skenarë dhe nga informacionet që kishim ne, SHBA, vende të ndryshme që merrnim mendohej se do niste agresioni rus në Ukrainë. Pas folësit të tretë, atë ditë ne ishim folësit e parë, në cilësinë e penëmbajtësit, nga burime të ndryshme, bëhet e qartë që sulmi ka filluar dhe në atë moment ne do të ripërshtatnim strategjinë tonë dhe do rimerrnim fjalën për të përshtatur shumë shpejt ndërhyrjet. Ka qenë moment dramatik sepse edhe pse kishim informacione, edhe pse inteligjenca amerikane kishte publikuar muaj të tërë, gjithmonë mendonin se mbase arsyeja do triumfojë në moment të fundit. Nuk triumfoi. Në atë moment ne kishim përshtypjen se as vetë delegacioni rus nuk e dinte për fillimin e operacionit. Momente komike, më të çlirëta janë gjatë konsultimeve, kur ne i  adresohemi njëri tjetrit me emrin e parë. Pra, nuk themi shkëlqesi, por në mënyrë direkte. Në këto moment i drejtohemi me ngacmime, me ironira që kërkojnë një reagim të shpejtë që mos humbësh faqen në sy të të tjerëve. “ -vijoi më tej Hoxha.

Top Channel