“Në prokurori mungojnë 116 prokurorë, për shkak të vettingut”, Çela: Të rritet numri i oficerëve gjyqësorë

16/05/2022 13:04

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela raportoi sot para 11 anëtarëve të KLP, lidhur me punën e prokurorëve gjatë vitit 2021 si edhe sfidat e organit të akuzës në të ardhmen.

“Përgjatë vitit 2021, për shkak të vakancave numri i përgjithshëm faktik i prokurorëve ka qenë 205, tregues që evidenton se 116 prokurorë i mungojnë prokurorive me juridiksion të përgjithshëm. Gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas nivelit të prokurorive ka qenë: 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 110 prokurorë më pak për shkak të vakancave, 16 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të apelit ose 10 prokurorë më pak për shkak të vakancave, dhe 9 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ose 8 prokuror më pak për shkak të vakancave.” mësohet të jetë shprehur Prokurori Çela, sipas asaj të raporton gazetarja Anila Hoxha e cila po ndjek nga afër seancën e raportimit.
Për të zgjidhur fluksin e dosjeve hetimore, Çela Ndër të tjera Çela ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të shtojë numrin e oficerëve të policisë gjyqësore.

“Në kushtet e një situate kritike vazhduese të mungesës së kapaciteteve funksionale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm të krijuar nga vakancat e prokurorëve në procesin e vetingut, Prokurori i Përgjithshëm në vijim të punës së nisur për shmangien e efekteve të krijuara nga ulja e numrit të prokurorëve për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar, për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar në sistemin e prokurorisë, me shkresën nr.1434, datë 24.09.2021 i ka kërkuar Komisionit të Policisë Gjyqësore rritjen në 250 të numrit organik të oficerëve të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe kryerjen e procedurave për emërimin e tyre sipas nevojave në disa prokurori.

Ndërkohë Komisioni ka caktuar numrin e përgjithshëm prej 250 oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksioneve të Policisë Gjyqësore në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe pas kryerjes së procedurave të konkurimit është mundësuar emërimi i 25 oficerë të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, për të lehtësuar dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve në përballimin e volumit të punës në rritje, në ato prokurori të cilat aktualisht janë të mbingarkuara me kryerjen e hetimeve, ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e çështjeve në gjykim.” u shpreh Çela.

Top Channel