Pas reformës energjetike në vitin 2015, në mandatin e tretë qeveria e drejtuar nga socialistët do të reformojë sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, duke e centralizuar.
58 shoqëri nëpër Shqipëri kanë dështuar për të arritur performancë të mirë sa i përket treguesve kryesorë. Mesatarja e furnizimit me ujë në të gjithë vendin është gati 14 orë në ditë. Nga krahu tjetër humbjet e pafaturuara janë në nivelin 64%, ku në sy binte Durrësi dhe Qarku i Vlorës. Këto dy ujësjellës kanë edhe detyrimet më të larta të prapambetura për faturat e energjisë.
Nga shoqëritë e ujësjellësit vetëm 12 prej tyre mbulonin kostot, ndërsa 24 prej tyre me vështirësi arrinin të mbulonin edhe pagat e personelit.
Stafi ishte një tjetër problematikë. Në raportin e Entit Rregullator të Ujit shprehet qartësisht se numri i punonjësve është artificialisht i lartë, sidomos numri i rojeve dhe parashtron nevojën për të eliminuar punësimet nepotike apo të karakterit politik.
Tashmë ujësjellësit do mblidhen në 15 shoqëri, ndërsa administratori do përcaktohet me konkurs dhe kritere.
Për të pasur një monitorim më të mirë do të ketë edhe këshill mbikëqyrës dhe borde.
Qeveria synon që me reformën e re të ketë 49 Bashki me furnizim 24 orë në 2023.
Top Channel