Tirana, Laçi, Kastrioti, Egnatia, Dinamo dhe Skënderbeu i kanë mbyllur përpara kohe llogaritë me Abissnet Superioren. Plot 6 skuadra nuk kanë më asnjë objektiv për të arritur, teksa fati i tyre në këtë edicion është përcaktuar.
Tirana e fitoi titullin tre javë para fundit, ndërsa në të njëjtën javë edhe Laçi matematikisht siguroi pozicionin historik, për t’u renditur në vendin e dytë. Skënderbeu në anën tjetër po tre javë para fundit mori valixhen për në Kategorinë e Parë, ndërsa pas ndeshjeve të javës së 34-të u përcaktua matematikisht dhe skuadra e që do e shoqërojë një kategori me poshtë me Dinamon që në Kukës doli duarbosh.
Në anën tjetër Egnatias do i duhet që të luajë dhe një ndeshje më shumë për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, teksa e sheh veten në vendin e tetë, ose e thënë ndryshe në zonën e “play-out” e duhet të presë për të mësuar se kë do të presë në “Egnatia Arena”. Kastrioti në krahun tjetër matematikisht nuk është i rrezikuar, ndërsa i vetmi objektiv që mund të tentojë është që të rikuperojë një pozicion në klasifikim, por që nuk do të ndryshonte asgjë.
Në dy javët e mbetura, do të luhet vetëm për zonën e Evropës, me Partizanin, Kukësin dhe Vllazninë që do të provojnë që deri në fund të sezonit të kenë renditje sa më të mirë, për të parë më pas dhe verdiktin e Kupës së Shqipërisë, që mund të vendosë fatin e njërës prej skuadrave që do të marrë një biletë për në Conference League./ SuperSport
Top Channel