Novak Djokovic mposhti në finalen e Romës tenistin grek Stefanos Tsitsipas, duke koleksionuar titullin e parë përsa i përket vitit 2022. Një titull që i mungonte numrit 1 të botës prej plot gjashtë muajsh, praktikisht që nga fillimi i nëntorit të kaluar, kur sportisti i famshëm nga Serbia përmbysi disavantazhin e setit hapës, në finalen e turneut indoor në Paris – Bercy ndaj rusit Daniil Medvedev.
Si për ironi të fatit në fushën qendrore Philippe Chatrier të këtij turneu, 11 muaj më parë Novak ktheu disavantazhin e dy seteve pikërisht ndaj tenistit helen Tsitsipas, duke i hequr nga duart kështu sportistit grek edhe trofeun e parë Slam në karrierë, sidoqoftë me formën e shfaqur gjatë kësaj jave të fundit në “Qytetin e Përjetshëm” Nole konfirmoi më së miri se po rikthehet në formën e tij më të mirë në momentin e duhur, për kulmin e sezonit në fushat me dhe.
Edicionin e kaluar Stefanos Tsitsipas u eliminua në Foro Italico pas afërsisht tre orë e gjysmë lojë pikërisht nga Novak Djokovic, me shifrat 4-6, 7-5, 7-5, edicion ku tenisti nga Serbia gjithsesi vuajti lodhjen e akumuluar, për shkak të ndeshjeve të shumta me tre sete, gjë që u reflektua edhe në disfatën e pësuar në Campo Centrale, në finalen e madhe nga spanjolli Rafael Nadal, që përfaqësonte edhe finalen e gjashtë të humbur nga Djokovic në Mastersin e Romës.
Në Foro Italico, në edicionin e 79 të Mastersit të Romës Novak u përmirësua nga dita në ditë, duke marrë përpara me radhë kundërshtarë të tillë si rusin Aslan Karatsev, veteranin zviceran Stan Wawrinka, kanadezin e talentuar Felix Auger – Aliassime si dhe në fazën gjysmëfinale norvegjezin Casper Ruud. Djokovic fitoi siguri në lojë dhe zbriti në ditën e finales në fushën qendrore me bilancin 6-2 në sfidat direkte ndaj tenistit grek.
Nole madje i kishte fituar që të katërta ndeshjet ndaj rivalit grek në fushat me dhe, duke mos njohur humbje në një sipërfaqe të tillë me tenistin helen. Në krahun tjetër pas triumfit në Mastersin e Monte Carlo-s sportisti grek kishte ambiciet e veta, teksa mundi njëri pas tjetrit tenistë të tillë si Grigor Dimitrov, Karen Khachanov, Jannik Sinner dhe Alexander Zverev.
Krejt ndryshe nga Nole që në Itali nuk kishte humbur asnjë set, me përjashtim të përballjes me italianin Sinner numri 5 i botës i fitoi të gjitha ndeshjet e tjera me set final. Djokovic dominoi setin hapës duke fituar thellë 27-10 në aspektin e pikavarazhit, një set i mbyllur me zero në vetëm gjysmë ore lojë. Në setin pasardhës 23-vjeçari nga Athina e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij, duke befasuar numrin 1 të botës, që u thye në servis në game-n e katërt.
Tsitsipas kryesoi deri 5-2, por tenisti helen dështoi për të fituar setin në momentin që shërbente vetë, duke humbur katër nga pesë game-t e radhës. Për rrjedhojë seti iu drejtua tie break-ut ku Nole ishte pothuajse gjatë gjithë kohës në avantazh. Përfundimisht Djokovic fitoi 7-5, duke mbyllur edhe takimin me rezultatin 6-0, 7-6 në 1h 38′ lojë. Në këtë mënyrë Nole përmirësoi statistikat duke fituar titullin e 6 në Mastersin e Romës në plot 12 finale, që nga viti 2008, kur mposhti zviceranin Wawrinka dhe regjistroi suksesin e parë në turneun e mirënjohur italian.
Titulli i 87 në karrierë për Djokovic-in dhe i 38 Masters, pra dy më shumë në këtë kategori se sa ndjekësi i tij më i afërt Rafael Nadal. “Mbreti i fushave me dhe që e ka fituar plot 10 herë Mastersin e Romës në Itali u eliminua që në turin e tretë nga kanadezi Denis Shapovalov. Në këtë mënyrë Nole do të fitojë 400 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, duke u shkëputur kundrejt ndjekësit të tij më të afërt Daniil Medvedev, për më tepër falë këtij suksesi tenisti nga Serbia përfitoi edhe një cek të majmë prej plot 836.355 eurosh./SuperSport
Top Channel